Ish-zv/kryeministri dhe deputeti i PS-së, Erion Braçe thotë se trau i vendosur nga Ministria e Turizmit në Parkun e Divjakës është ndërtim pa leje që rrezikon jetën e qytetarëve. Për të është i rrezikshëm pasi dëmtohet siguria rrugore.
“Ai park është mbrojtur atje nga njerëzit dhe është mbrojtur për shkak të lirisë që njerëzit kishin për të shkuar atje. Po këta të PNUD a kanë ndonjë përgjegjësi, meqë e financojnë këtë, për respektimin e të drejtave të njeriut për të lëvizur të lirë. Shikoni Kodin Rrugor. Ajo kioskë aty është e paligjshme. Është ndërtim pa leje”, tha Braçe.
Nga ana tjetër, Braçe ka hedhur akuza të forta, kur tha se zyrtarë të Ministrisë së Mjedisit kanë telefonuar zyrtarë të Divjakës dhe u kanë thënë se “do të fluturojnë” nëse e pengojnë ndërkohë që ata kanë qenë në të drejtën e tyre që kërkonin që të kishte leje ndërtim.
“Ka një kakofoni që bëhet për interesa politike. Banorët e bashkisë së Divjakës përjashtojnë nga pagesa e këtij detyrimi, por kjo nuk ka rëndësi përderisa të tjerët ndalojnë të kalojnë lirshëm. Zyrtarë të Ministrisë së Mjedisit kanë telefonuar zyrtarë të Divjakës dhe u kanë thënë se ‘do të fluturojnë’ nëse e pengojnë ndërkohë që ata kanë qenë në të drejtën e tyre që kërkonin që të kishte leje ndërtimi. Zyrtarët kanë shkuar pranë vendit ku po bëhej ky ndërtim pa leje. Janë telefonuar nga zyrtarë të Ministrisë së Mjedisit dhe janë kërcënuar”.
