Lorenc Trashi e cilëson vitin që sapo u mbyll shumë pozitiv sa i përket aspektit personal. Në “Rubrika Sportive”, ku ishte pjesë e formacionit të vitit, ai tregoi notën që i vë vetes për vitin, por edhe për atë qw pret në të ardhmen e tij.
“Primarja ka qenë kampionati duke parë rëndësinë e objektivave si ekip, duke parë se Partizani kishte shumë vite që nuk dilte kampion. Ishte arritje shumë e madhe për gjithë stafin dhe lojtarët. Është arritja pastaj me kombëtaren, debutimi me gol është ëndërr për futbollistët.
Nota e vitit? Do t’i vija vetes 7. Duke parë dhe pozicionit, si mbrojtës, po të isha mesfushor e sulmues do i vija një notë më të lartë. Nuk e kam peng, se unë e kam provuar çdo rol, vetëm portier më ka mbetur te Partizani. Kam bërë shumë role, kam kaluar shumë trajnerë e kam luajtur në shumë pozicione, por kam gjetur rehati si mbrojtësi i majtë.
Kombëtarja? Të gjithë ata që janë në Superiore apo moshat duhet të stërviten për të luajtur fillimisht në kampionatin tonë e shiten më pas jashtë. Ka lojtarë në Superligë për kombëtaren, por duhet të bëjnë më shumë sforco e duhet të kenë durim. Edhe për mua është folur shumë por ja erdhi momenti im dhe shpresoj që ta kem shfrytëzuar siç duhet.
Nuk e fsheh që e pres transferimin, për të plotësuar CV-në. Por duhen bashkuar që të gjitha gjërat që të ndodhë”, tha Trashi.