Iwona Socik nga Polonia ka zgjedhur që këtë vit bashkë me familjen e saj të pushoj në brigjet shqiptare. Çdo mëngjes me fëmijët, bashkëshortin, vjehrrin dhe vjehrrën dhe kunatën e saj i sheh buzë brigjeve të Adriatikut, teksa pushojnë në Gjirin e Lalzit.
Ajo na tregon se është hera e parë që viziton Shqipërinë dhe se kishte dëgjuar më parë për të pasi si vende jemi shumë afër.
“Janë pushimet e mia të parat këtu. Vendosa të vijë sepse është një vend i sigurtë tani për situatën e COVID. Do të doja të shkoja në Azi apo Afrikën e Jugut por nuk lejohet të udhëtosh për momentin“, na thotë Iwona.
Shqipëria ishte zgjedhja e tyre edhe për shkak edhe të një oferte të nje kompanie ajrore në Poloni, e cila fluturimet për pushime verore në vendin tonë i kishte me ofertë.
Turistët e huaj janë më të pakët këtë vit për shkak të situatës së pandemisë por Iwona thotë se nga Polonia ka shumë, pasi në Durrës kishin takuar të tjerë turistë nga vendi i tyre. E pyetur për përshtypjet e saj për shqiptarët turistja polake thotë se janë njerëz të mirë por nuk flasin mirë anglisht dhe për të “është problem të kërkosh diçka në restorant“. Nga ushqimet shqiptare që ka provuar thotë se është dashuruar me “tavë dheu”.
Ka dëgjuar shumë dhe për pjesët e tjera të bregdetit shqiptar dhe kanë vendosur të vizitojnë edhe Ksamilin, teksa i orientojmë se rrugës janë dhe plazhet e bukura të Dhërmiut, Jalës dhe Livadhit.
“Do të doja të shihja dhe vendet e tjera se më thanë që janë vende të bukura dhe do të shkojmë por është e vështirë të udhëtosh me fëmijë. Por ndoshta nesër, mesa di duhen tre orë për të shkuar në Vlorë dhe kemi dëgjuar për Ksamilin“, shprehet turistja.
Por a ka frikë nga COVID? “Nuk kam frikë ng COVID sepse nuk e besoj, dhe kjo është arsyeja pse. Megjithatë përpiqemi të mbajmë ditancën po këtu mesa po shoh nuk respektohet. Mbase në plazh është ndryshe“, thotë Iwona.
Megjithë përshtypjet e saj Iwona thotë se nuk mendon se do të kthehet prapë në Shqipëri pasi dëshiron të udhëtojë dhe të shohë sa më shumë vende të botës.
Aktualisht në Poloni janë afërsisht 50 mijë raste të infektimit me COVID-19 dhe janë regjistruar 1774 vdekje. Vetëm dy ditë më parë u regjistrua rekord i ri i rasteve të reja. Ndërkohë që edhe atje mbajtja e maskave është bërë e detyrueshme.
Në Shqipëri lejohet ardhja e turistëve nga vende si Polonia, teksa kujtojmë se të parët këtë viti ishin ata nga Bjellorusia që mbëritën me çarter.