Policia e Gjirokastrës ka zbardhur vrasjen e 57-vjeçarit Gëzim Saraçi i cili u gjet i pajetë brenda mjetit të tij në aksin rrugor Poliçan- Suhë.
Autor është miku i Saraçit, Mihal Thimjo, i cili u arrestua pas 6 orë kërkimesh nga rreth 50 forca policie.
Nevvs 24 thotë se Saraçi dhe Thimjo ishin miq me njëri-tjetrin dhe se kishin drekuar në fshatin Poliçan të Zagorisë e teksa ktheheshin mes tyre ka ndodhur një konflikt dhe përleshje fizike. 33-vjeçari ka goditur mikun e tij me sende të forta, ndërkohë që kur është arrestuar edhe ai ka qenë me plagë.
Burime zyrtare ndërkohë bëjnë të ditur se gjeti dhe sekuestroi në një banesë tjetër edhe rrobat që autori kishte veshur gjatë kryerjes së krimit.

NJOFTIMI I PLOTE
DVP Gjirokastër
Zbardhet në kohë rekord ngjarja e ndodhur në datën 05.08.2020, në aksin rrugor Poliçan-Suhë, ku u gjet i pajetë 57-vjeçari G. S.
Pas 6 orë kërkimesh dhe kontrollesh në të gjithë zonën u bë i mundur lokalizimi, kapja dhe prangosja e autorit të dyshuar të vrasjes.
Policia gjeti dhe sekuestroi në një banesë tjetër edhe rrobat që autori kishte veshur gjatë kryerjes së krimit.
Menjëherë pas marrjes së njoftimit se në aksin Poliçan-Suhë ishte gjetur i pajetë shtetasi G. S., strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Gjirokastër organizuan punën për zbardhjen e ngjarjes.
Falë punës së mirorganizuar hetimore të kryer nga Sektori për Hetimin e Krimeve të Rënda në DVP Gjirokastër, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Gjirokastër, u bë e mundur zbardhja e ngjarjes dhe identifikimi i autorit.
Rreth 50 forca policore, pas 6 orë kërkimesh, krehje të zonës, kontrolleve në disa ambiente dhe banesa të dyshuara dhe falë përdorimit të metodave proaktive, bënë të mundur lokalizimin e vendndodhjes së autorit, kapjen dhe shoqërimin e tij në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë.
Në përfundim të veprimeve të para hetimore të kryera, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit M. Th., 33 vjeç, banues në Dervician, për veprën penale “Vrasja me dashje”, pasi gjatë një konflikti për motive të dobëta, ka goditur me sende të forta shtetasin G. S., 57 vjeç, banues në Humelicë, Gjirokastër, duke i shkaktuar vdekjen.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Rrethit Gjyqësor Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.
