Diego Armando Maradona, si të gjithë futbollistët profesionistë që kanë pikë të dobët makinat, kishte një koleksion të pasur me mjete luksoze për kohën.
Por duke qenë se karriera e tij ishte vite më parë, sot makinat e legjendës së futbollit janë të vjetëruara dhe pa ndonjë vlerë. Por makina e tij e parë ekziston ende dhe do të ketë një çmim stratosferik… për një makinë “Fiat” 128.
Ishte kjo markë e famshme që iu bë dhuratë në Krishtlindjen e vitit 1982, kur u zyrtarizua transferimi i tij në Evropë nga Boca te Barcelona. Ngaqë marka “Fiat” ishte e famshme asokohe, iu bë dhuratë në moshën 22-vjeçare, dhe mjeti i tij i parë mes shumë të tillave që ai do të kishte më pas.
Gjithsesi, kjo makinë u zhduk për disa vite, por u rigjet në 2003, në një kotec pulash, në qytetin argjentinas Salto, nga Martin Varrone, koleksionist i makinave dhe pronar aktual.
Ai ka marrë “ok” nga avokati i Maradonës për ta nxjerrë në shitje dhe ky “Fiat” 128 ka statusin NFT që njihet edhe si vepër arti, por edhe si kriptovalutë. Titullohet “El Primer Auto D10S”.
Ankandi ka nisur dhe do të zgjasë deri më 15 shkurt të 2022 dhe ka një çmim marramendës, 400 mijë dollarë ose 355 mijë euro. Por mos u habisni. Ky është vetëm çmimi i nisjes së ankandit, pasi mund të arrijë edhe 1 milion euro.