Megjithëse për veshjet e tyre u shpenzuan 2.8 miliardë lekë nga buxheti i shtetit dhe kur ka kaluar vetëm disa javë që uniforma e re është marrë në dorëzim, policët kanë konstatuar probleme, të cilat ua vështirësojnë shërbimin, raporton News24. Kreu i sindikatës së policëve Sadedin Fishta thotë se specifikimet teknike të kësaj uniforme nuk përshtaten me vendin tonë.
Kreu i Sindikatës i bën apel Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat të marrë në konsideratë ankesat e punonjësve të policisë dhe të nisë hetimet. Ndër të tjera Fishta kërkon të verifikohen specifikimet teknike që janë vendosur nga komisioni i ngritur në policinë e shtetit po ashtu edhe nga komisioni që ka bërë kolaudimin e uniformës dhe e ka marrë atë në dorëzim për të parë nëse kompania prodhuese ka zbatuar me përpikëri kriteret e kërkuara.
