Policia e Tiranës ka vënë në pranga një 41-vjeçar i cili shpërndante kokainë në kryeqytet. Në sajë të operacionit të koduar “Hostage” është vënë në pranga E.J., banues në kryeqytet.
Ai u kap në flagrancë, gjatë operacionit, me doza lënde narkotike kokainë, e gatshme për t’u hedhur në treg në rrugën e Durrësit. Pas kontrollit të ushtruar më pas në shtëpinë e tij u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale dy qese më kokainë, në total 306.6 gramë.
Gjithashtu, iu gjetën 1 500 euro dhe 46 000 lekë të reja, që dyshohet se janë përfituar nga shitja e lëndës narkotike, si edhe 14 telefona smartfon, që poseduesi i lëndës narkotike ia mbante si peng për lëndën narkotike personave të ndryshëm, në shkëmbim të kokainës.
Materialet proceduriale do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme hetimore, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike.”
