Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj i ka cilësuar kandidatët e opozitës kukulla të caktuara nga Berisha dhe Meta. Në një intervistë në emisionin Review në Euronews Albania, Veliaj tha se Berisha është një “non grata” nga SHBA dhe Ilir Meta agjent i sigurimit të shtetit.
“Na e keni bërë këtë pyetje dhe në 2011-ën. Ne merremi me Saliun sepse Lulzim Basha është një kukull. Dhe kur kukulla filloi të mendonte vet, Saliu dhe Ilir Meta e përzunë. E ke parë më Lulzim Bashën në qarkullim? Pra ne dhe atëherë, ju me të drejtë thoshit pse merreni me Saliun dhe me Ilir Metën në 2011-në, ju kujtohet? Merruni me Lulzim Bashën sepse ai kandidon. Dhe ne thoshim, ore është kukull. Në një moment që këta që e kurdisën, kuptojnë që kukulla fillon dhe mendon vetë, këta e ndërrojnë me një kukull tjetër. Tani kjo është një gjë që ne e kemi të provuar. Këtu nuk ka njeri që të mendojë vetë.
Këta kur menduan vetë, rrethuan dhe dogjën shtëpinë e tyre me shkopa bejsbolli, me bomba molotov, me gaz lotësjellës, me shkallë, me qysqi, me kokëdash, me kaci, me çfarëdolloj mjeti për të rrëzuar shtëpinë e tyre. Dhe ajo që u kuptua ishte që këtë e organizonte Sali Berisha. Këtu non grata është Sali Berisha, këtu agjent i sigurimit të shtetit ishte Ilir Meta. Kështu që për sa kohë që kandidatët i caktojnë këta, ti më thua mua merru me këta. Me kë të merrem?
Se rivali ynë kryesor është PD-ja. PD-ja sot ka kandidat një tjetër person. Ndërkohë që të gjithë kandidatët e tjerë janë tek lista e Ilir Metës. Nuk janë as te lista e Sali Berishës”, theksoi Veliaj.
Veliaj, që është dhe drejtues politik i qarkut Tiranë, nënvizoi se mazhoranca vjen në këto zgjedhje me logo dhe me emër, ndryshe nga opozita që i fsheh.
“Tek fleta e votimit është PS-ja, Edi Rama, me logo, me emër, me fytyrë. Dhe ke një një “no face, no name, no number”, që është një koalicion që sa është krijuar dhe që ka lider Ilir Metën. Dhe është shumë e rëndësishme që qytetarët ta dinë këtë. Që kush mendon që është i djathtë, në fakt do shkojë të votojë Ilir Metën. Ne po themi, nëse dikush e ka harruar, Sali Berisha është sot non grata.
Ne provuam 45 vite sherrin me Amerikën, unë jam rritur në SHBA, sot them që jo, Shqipëria nuk e ka luksin, nuk e ka as qasjen lindore dhe nuk ka as kohë për të humbur më, të tundohet që të marrë rubla siç merr Ilir Meta me Monikën, apo që t’i hapë luftë Amerikës. Më rezulton që të marrësh para sot nga Kremlini, është ta çosh Shqipërinë mbrapa. Edhe për sa kohë që njerëzit i dinë faktet, unë besoj që do votojnë lirshëm dhe siç tregojnë dhe sondazhet tuaja, shumica e njerëzve e kanë ndarë mendjen që do të shkojë përpara, nuk do të kthehet më as tek non gratat, as tek fuksat e sigurimit”, deklaroi Veliaj.
