Qytetarët që përdorin transportin publik urban do të mund të qarkullojnë më shpejt në kryeqytet. Bashkia e Tiranës në bashkëpunim dhe me GIZ po studion planin për të kthyer tre linja në kryeqytet me korsi të dedikuara për autobusët, ashtu sikurse funksionon në Vjenë apo në Stamboll. Lajmin e dha Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj në prezantimin e flotës së gjelbër të autobusëve, ku sqaroi dhe çështjen e metrosë. “Ajo që ne duam të bëjmë për ta bërë akoma më të pëlqyeshëm dhe akoma më të frekuentueshëm përdorimin e autobusit, është projekti që kemi me GIZ-in ku ne duam që të kthejmë tre linjat e Tiranës që janë linja e Kinostudio-Kombinat, linja e Unazës dhe linja e Tiranës së Re në atë që quhet “Bus Rapid Transit”, pra linja me korsi të dedikuar si shumë të ngjashme që mund të keni parë në Vjenë, Stamboll. Kryesisht për të funksionuar siç do të funksiononte një tram ose një metro, por në goma. Ka shumë njerëz që thonë pse nuk bëjmë dot një tram dhe një metro. Së pari sepse nuk jemi nga ata që gënjejnë për fushatë dhe nuk e bëjnë pastaj tramin. Së dyti është llogari. Shumë prej vendeve të Ballkanit siç mund të jetë Bullgaria apo Rumania, përballojnë metronë vetëm falë subvencioneve sepse janë anëtare të BE-së”, tha Veliaj.
Kryebashkiaku Veliaj theksoi se aktualisht bileta e transportin publik është më e ulëta në rajon, ndërsa garantoi se qeveria dhe bashkia do të vijojë mbështetjen për të mos ndryshuar çmimet.
“Në Tiranë çmimi i biletës është 40 lek, në Kosovë është 50 cent. Në Prishtinë me shumë pak linja ndërkohë që Tirana ka 15 linja vetëm urbane. Pra kush del dhe proteston u rrit çmimi i autobusit qartazi sa ka zbritur nga makina se po të kishte qenë në autobus do të dinte që kjo do të kishte qenë e pavërtetë. Faktet i kemi njësoj , opinionet mund t’i kemi ndryshe. Ajo që ndodhi është që e patëm 2 lëvizje, edhe nga qeveria edhe nga bashkia. Bashkia filloi që përpara krizës së naftës me subvencionimin, por ndërkohë qeveria bëri një ofertë edhe më të mirë për subvencionimin e naftës në momentin që u pa se duhet rikuperuar kostoja e lartë e operimit të këtij transporti. Sot jo vetëm është bileta më e lirë në të gjithë rajonin, por sot jemi në një situatë që kush merr abone 16 mijë lekë të vjetra, praktikisht e ka 10 cent biletën dhe për studentët çmimi është akoma më i ulët”, nënvizoi Veliaj.
Postime te ngjashme
Add A Comment
