Lulzim Basha ia ka dalë që të jetojë në një rezidencë luksoze për vete dhe familjarët e tij, pasi më parë kishte sulmuar pronarin e kësaj rezidence si oligark. Ka qenë vetë PD dhe Basha që e akuzonin ndërtuesin e këtyre vilave si oligark.
Agron Papuli, u vu në shënjestër të akuzave nga Partia Demokratike, pasi sipas demokratëve, Papuli mori 1.6 milionë euro për tenderin e dhënies me qira të makinave për policinë e Shtetit. Flamur Noka, ish-ministër i Brendshëm, doli i revoltuar në foltoren e bluve, teksa akuzonte Papulin si mik të Ramës, dhe një nga kompanitë e preferuara të Ramës, ku në vetëm 2 vite, sipas PD kishte marrë 4.3 milionë euro, nga OSHEE.
“Kompanisë së mikut të Ramës, Agron Papuli, siç provohet edhe në dokumentet zyrtare nga Agjencia e Prokurimit Publik në muajin korrik të këtij viti i është dhënë tenderi e rradhës. Bëhet fjalë për një tender me objekt “qira operacionale automjetesh nga Policia e Shtetit, 1.8 milion euro. Marrja me qera e makinave është korrupsion i pastër për të pasuruar financuesin e Edi Ramës, kjo sepse harxhohen miliona euro për makina me qera dhe makinat nuk i mbeten policisë, por i rikthehen përsëri mikut të Ramës. Kostoja e marrjes me qera të makinave është më e madhe sesa blerja e tyre”-thoshte PD.
Por kush është Agron Papuli, konsulli shqiptar në Korenë e Jugut, i njohur edhe si “Taksa-Rama”?
Papuli është një emër i njohur për qeverinë dhe opozitën, pasi është biznesmeni që ka fituar tenderat për furnizimin me automjete të administratës shtetërore, policisë, por edhe ministrave me “Jaguar”-ët e famshëm për një çmim prej plot 80 milionë euro. Pronari i kompanisë “CLASSIC”, që është koncesionari i automjeteve të markës gjermane “Volkswagen”.
Ndërkohë që në janar të 2019, Papuli u emërua edhe si konsull i Shqipërisë në Korenë e Jugut. Janë gati 23 milionë euro për të cilat PD e akuzon Papulin se i ka përfituar nga qeveria Rama.
Në kohën e protestave poshtë kryeministrisë, kryedemokrati thoshte se oligarkët i priste burgu, dhe se PD do t’i anulojë të gjithë tenderat e dhënë në mënyrë të dyshimtë.
