Dhjetra qytetarë janë mbledhur sot në mëngjes dhe kanë nisur një marshim nga Skënderbej si homazh për vrasjen e vogëlushit 8- vjeçar, Mateo Vasiu nga 38-vjeçari Klodian Çalameni.
Marshimit i është bashkuar edhe kryetarja e Kuvendit Lindita Nikolla, e cila tha se kërkesa e familjarëve dhe të afërmve për rikthimin e dënimit me vdekje nuk është një vendimmarrje që mund të merret nën ndikimin e emocioneve të forta që ka shkaktuar ngjarja.
“Përfshirja ime është përfshirja e një nëne, e një qytetare e krye parlamentares për të adresuar këtë problem shumë të rëndë. Secili prej nesh e përjeton dhimbjen humbjen e një fëmijë, sikur të ishte humbja e fëmijës tim. Vetëm kështu mund të bëhemi bashkë për të parandaluar fenomene të tilla. Si institucion jemi në një moment të rëndësishëm. Parlamenti do të punojë, por do ta përdore këtë moment edhe për të pasur një proces shterues nga pikëpamja ligjore. Ligjet duhen zbatuar, por duhet një ndërgjegjësim qytetar i komuniteteve, që të denoncojnë dhunë. Jam në dijeni, këta janë momente të forta emocionale, patjetër Shqipëria është pjesë e BE, dhe sinqerisht unë nuk mendoj që ky dënim dhe kthimi pas në këtë vendim do të jetë gjëja e duhur. Ka shumë momentet të tjera, por janë vendimmarrje që nuk duhen marrë në emocione të forta. Parlamenti po adreson një ligj që lidhet me regjistrin e dhunuesve”, tha Nikolla.
Kujtojmë se familjarët e vogëlushit kanë nisur që dje nënshkrimin e një peticioni përmes të cilit, synojnë dënimin me vdekje të 38-vjeçarit. Peticioni është firmosur dhe nga qytetarë të shumtë, të cilët të tronditur nga ngjarja e rëndë, kërkuan varjen e tij në mes të qytetit të Fierit.
Shqipëria e ka hequr dënimin me vdekje prej gati 3 dekadash tashmë. Ishte viti 1992 pikërisht në Fier, kur u ekzekutua për herë të fundit një dënim kapital, varje në mes të qytetit. Kishte 8 muaj që kishte ardhur demokracia dhe legjislacioni nuk kishte ndryshuar ende.
