Një marshim nga Ministria e Brendshme drejt Kryeministrisë për Klodian Rashën, 25-vjeccarin që u vra nga një efektiv i policisë.
Kanë qenë të rinjtë e FRPD-së që me pankarta kërkojnë drejtësi për Klodjanin dhe dorëheqjen e ministrit të Brendshëm Sandër Lleshaj.
“Ju jeni vrasës. Drejtësi për Klodjanin. Jep dorëheqjen. Rama ik. Kjo është qeveri e krimit”, thanë marshuesit.
Kreu i FRPD-së Belind Këlliçi tha se indinjata për rastin është e qartë. Ai shtoi se ndërkohë që shqiptarët vdesin rrugëve, Rama ka ikur në SHBA.
“Rama ka ikur në Amerikë, ndërsa shqiptarët vdesin. Sandër Lleshaj është kriminel. Ai ka thënë se prapa sjelljes së policit është ai. Ky njeri që arrestoi artistët, ky plehrë, kush mban përgjegjësi për vrasjen e 25-vjeçarin?
Kjo që ka ndodhur dje është kriminale. Të bëhemi të gjithë bashkë për të reaguar. Kjo e keqe që na ka kapur për fyti duhet të mbarojë. Turp t’i vijë qeverisë, turp t’i vijë ministrit të Brendshëm dhe turp për kryeministrin, që nuk tha një fjalë për rastin”, deklaroi Këlliçi.
