Një ditë më parë vrasja në Babicë tronditi Vlorën dhe gjithë vendin. Lavdosh Sulo vrau me levë hekuri bashkëshorten e tij 42-vjeçare, por historia e dhunës në familje ka nisur vite më parë, kur dhe Laureta e kishte denoncuar për dhunë.
Diferenca e madhe në moshë mes Lavdoshit dhe Lauretës, kishte bërë që ai të shfaqte shenja xhelozie, derisa arriti dhe të kryejë krimin makabër gjatë kohës që po konsumonin drekën.
Lexo edhe- E rëndë në Vlorë, burri vret gruan me levë hekuri
Çifti ka dy fëmijë, një djalë 23 vjeç dhe një vajzë 12 vjeçe, të cilët fatmirësisht nuk kanë qenë të pranishëm në momentin e krimit.
Gazeta “Panorama” shkruan se çifti kishte pasur konflikte, sipas Policisë, pikërisht për shkaqe xhelozie. Edhe në vitin 2012, mësohet se Lavdosh Sulo ka qenë i proceduar penalisht për dhunë në familje. Çifti kishte një servis automjetesh në afërsi të fshatit Babicë, ku punonin prej kohësh, ndërsa konfliktet e tyre lidheshin me dyshimet e 56-vjeçarit për lidhje jashtëmartesore të bashkëshortes së tij, e cila ishte rreth 14 vite më e re se ai. Edhe pas denoncimit të bërë 7 vite më parë, çifti Sulo mësohet se ka pasur vazhdimit konflikte.
Të afërmit dhe fqinjët thonë se sherret lidheshin pikërisht me dyshimet e 56-vjeçarit për tradhti. Zënkat mes tyre u agravuan pikërisht gjatë ngrënies së drekës, duke përfunduar me vrasjen e Laureta Sulos. I pari që mori vesh për ngjarjen, pas mbërritjes së Policisë në banesën e çiftit, ishte djali i tyre, i cili në gjendje të rënduar psikologjike bëri më faj Policinë për atë që kishte ndodhur. “E patë çfarë bëtë, ju e keni fajin, ju si shtet”, u shpreh 23-vjeçari, F. Sulo.
