Gjykata e Tiranës ka rrëzuar kërkesën e Marjan Rrokut, ish-oficerit të Shërbimit Informativ Kombëtar për të zbutur dënimin e përjetshëm. Rroku është dënuar në maj të vitit 2002, pasi u identifikua si autor i vrasjes së dyfishtë të nënë e bijë, Mbarime dhe Alda Camaj, ngjarje kjo e ndodhur në mars të vitit 2001 në Tiranë.
Në sheshin para Pallatit të Sportit “Asllan Rusi”, i pandehuri u ka dalë para viktimave dhe me pistoletën personale të tipit “TT” ka qëlluar shtatë herë mbi dy viktimat, duke i lënë ato të vdekura, dhe është larguar. Sipas akteve mjekoligjore që ndodhen në dosjen ndaj tij, shkaku i vdekjes së viktimave është shoku i rëndë traumatiko-hemorragjik i ardhur nga dëmtimet e shkaktuara nga arma e zjarrit.
Marjan Rroku u ekstradua nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku u arrestua pikërisht për këtë vendim me burgim të përjetshëm të lëshuar nga drejtësia shqiptare.
