Presidenti Aleksandër Vuçiç do të mbërrijë nesër në Tiranë, në kuadër të takimit të radhës për Ballkanin e Hapur. Në lidhje me këtë vizitë kanë reaguar edhe mediat serbe, të cilat i kanë kushtuar vëmendje protestës së thirrur nga ish-kryeministri Sali Berisha, kundër presidentit të Serbisë dhe nismës ‘Ballkani i Hapur.
Sipas asaj që shkruan media serbe “Novost”, ‘ekstremistët shqiptare’ me ndihmën e tre politikanëve shqiptare po përgatiten për një protestë kundër presidentit serb Aleksandar Vuçiç, kur të mbërrijnë në Tiranë.
Media serbe shkruan se sipas burimeve të saj, organizatorë të protestës janë Sait Dollapi, ish-sekretar organizativ i Partisë Demokratike (PD), Agron Kuliçaj dhe Sali Lushaj, ish truprojat e Sali Berishës.
“Berisha ka kontaktuar personalisht me Ramush Haradinajn për të siguruar praninë e së paku 100 personave nga Kosova në këtë protestë”, pretendohet se ka thënë një burim i medias serbe.
Lushaj dhe Dollapi thuhet se kanë udhëtuar për në Kosovë për të organizuar ardhjen e “ekstremistëve” nesër dhe pasnesër në Tiranë. Gjithashtu thuhet se protestën e ka përkrahur edhe kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti. Hyrja e “ekstremistëve” në territorin e Shqipërisë pritet që të bëhet përmes Morinës, ”në mënyrë që policia të mos i kthejnë”.
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç dhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, do të jenë në Shqipëri në datat 20 (nesër) dhe 21 dhjetor, në kuadër të samitit për nismën ‘Open Balkan’.
Mësohet se punimet do të zhvillohen në ambientet e Hotel MacAlbania (ish-Sheraton) në qendër të Tiranës dhe do të fillojnë në orën 10.00. Ditën e martë, pasdite do të ketë edhe një konference për shtyp të kryeministrit Edi Rama, presidentit serb Aleksandër Vuçiç dhe kryeministrit i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev.
Burime pranë qeverisë bëjnë me dije se Zaev do të shoqërohet nga zv.ministri i Financave maqedonas, i cili në ditët e para të Janarit pritet të zëvendësojë Zaev në detyrën e Kryeministrit. Kësisoj duket se vazhdimësia e mbështetjes maqedonase për Ballkanin e Hapur do të ekzistojë edhe pse kreu i qeverisë pritet të zëvendësohet shpejt.
Kujtojmë se takimi i fundit në kuadër të nismës ‘Open Balkan’ u mbajt më 4 nëntor në Beograd, ku liderët konfirmuan edhe njëherë premtimin se nuk do të ketë më asnjë pengesë në kufi për njerëzit e tyre dhe se ata do të mund të lëvizin lirisht në të tre vendet. Për 3 drejtuesit e 3 vendeve “Open Balkan” është një lëvizje që ka vetëm një qëllim, përmirësimin e jetës për qytetarët.
