Nga Xhoi Malësia
Në selinë e Partisë Demokratike ditën e shtunë pritet të shkruhet një pjesë e rëndësishme e historisë për këtë forcë politike,e cila ka vendin e saj në 31 vitet e pluralizmit politik. Pak ditë përpara “Grand Finale-s”, për shumë persona, pikëpyetje mbetet ngjyra e shkrimit, pasi në histori, disa faqe shkruhen me të zezë, e disa me të kuqe.
Disa nga veset e historinë lidhen gjithashtu me përsëritjen e vetëvetes, e me rotacionin e pozitave të aktorëve kryesorë. Këta elementë evidentohen qartë edhe në ngjashmëritë mes dy protestave, asaj të 8 Janarit të këtij viti dhe asaj të 21 Janarit 2011.
E përbashkëta e Lulzim Bashës së tanishëm dhe Sali Berishës së atëhershëm ka të bëjë me faktin se mandati i tyre është totalisht i rregullt në aspektin ligjor. Ndërkohë, e përbashkëta e Sali Berishës së tanishëm dhe Edi Ramës së atëhershëm është se protesta e të dyve ngrihet, për nga aspekti konceptual, mbi argumentin e “delegjitimimit politik” të pushtetit.Thënë më qartë, Sali Berisha fitoi zgjedhjet në 2009, por video-skandali i Metës, sipas Ramës ishte një arsye e bollshme që paraardhësi i tij të lëshonte zyrën.
Basha fitoi zgjedhjet partiake, por sipas Berishës, përjashtimi i tij nga grupi parlamentar dhe Kuvendi i thirrur nga vetë ai, janë arsye të mjaftueshme që tregojnë se koha e kryetarit aktual ka përfunduar. Tani jemi përballë një situate kur për Bashën flitet ka fortifikuar selinë e PD-së deri në pikën ku edhe “miqtë” futen me vështirësi, për të mos folur për “armiqtë”.
Nga ana tjetër, Berisha njihet si një lider politik që “nuk bën shaka”. Në këtë pikë, unë mendoj se nuk është momenti për analizë, por për disa pyetje:
A do të jetë Lulzim Basha, “burrë shteti”, nëse në oborrin e PD-së do të ketë njolla të kuqe, ama ruhet institucioni?
A do të jetë Berisha “fajtor” i çdo pasojë që mund të bjerë mbi protestuesit e tij? Sikurse akuzonte Edi Ramën për 21 Janarin.
A do të ishte Berisha model i një lideri demokratik nëse zhvillon protestë paqësore dhe a e ndihmon kjo lëvizjen e tij?
A do të ishte Basha autoritar nëse e mbron me çdo kusht institucionin?
Apo është në të drejtën e tij të ruajë mandatin?
A do t’i kërkojë njeri llogari Ramës ne mandatin e tretë? Apo do luhet vetem për vendin e dytë?
