Ambasadorja e SHBA në Shqipëri Yuri Kim ka dënuar gjuhën e përdorur nga ligjvënësit në Kuvend, duke iu referuar termave denigrues ndaj grave dhe vajzave deputete, pa përmendur emra konkretë.
Kim shprehet se kjo gjuhë është e papranueshme dhe udhëheqësit duhet të jenë të ndërgjegjshëm për shembullin që ata japin nga foltorja e Kuvendit.
“Duket e nevojshme të themi sot atë që kishim planifikuar për të thënë më datë 25 nëntor (duke filluar 16 ditët vjetore të aktivizmit kundër dhunës gjinore):
Gjuha e dhunshme, degraduese ndaj grave – veçanërisht e transmetuar në televizion nga Parlamenti – është e papranueshme. Udhëheqësit duhet të jenë të ndërgjegjshëm për shembullin që ata japin”, shkruan Yuri Kim.
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjitikës, Belinda Balluku gjatë fjalës së saj sot në Kuvend, ndër të tjera është ndalur edhe tek replikat Rama-Basha, ku ky i fundit akuzoi kryeministrin se ka fyer zonjat deputete të PD-së.
Ministrja Balluku theksoi se ajo nuk bën diferencë mes zonjave e zotërinjve të Kuvendit, ndërsa shtoi se ndodhet në Kuvend, për të bërë detyrën.
Po ashtu ajo i kujtoi deputetëve të PD, se në momentin që është betuar Qeveria, për zonjat ministre është arritur deri aty sa të thuhet se “janë harem”.
