Zv/kryeministrja dhe ministrja për Infrastrukturën dhe Energjinë, Belinda Balluku përshëndeti sot ambasadoren e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Yuri Kim, në përfundim të misionit të saj në vendin tonë. Balluku thotë se Kim i shërbeu Shqipërisë si të ishte bijë e saj.
“Sot pas më shumë se tre vjetësh bashkëpunim me Yuri Kim, mund të them pa frikë se unë dhe stafi im, jemi dëshmitarët e gjallë të dëshirës dhe pasionit të saj për të mbështetur e ndihmuar Shqipërinë, jemi të lumtur që patëm mundësinë të kemi në krah një grua që i shërbeu këtij vendi të vogël si të ishte bijë e tij, një grua që me këmbënguljen e saj arriti të realizonte premtimet e dhëna në atë fjalë të parë, kur gjithkush besonte se ishte një fjalë e shkruar nga këshilltarët e radhës dhe jo misioni dhe vizioni i qartë i saj”, theksoi Balluku, në një postim në rrjetet sociale.
Postimi i plotë
Në fjalën e parë si ambasadore në Tiranë, Yuri Kim tha se misioni i saj kishte tre kolona kryesore, një prej të cilave lidhej direkt me portofolin e ministrisë që unë drejtoja, zhvillimin ekonomik dhe biznesin e ngritur mbi parimin e transparencës e konkurencës së ndershme. Gjithkush në atë kohë ka menduar se ishin premtimet e radhës nga një nga ambasadort më të rëndësishëm për Shqipërinë, por askush nuk mund të besonte se ajo e kishte shumë seriozisht misionin e saj në vendin tonë dhe se do bëhej një nga personalitetet më ndikues për çdo shqiptar.
Sot pas më shumë se tre vjetësh bashkëpunim me Yuri Kim, mund të them pa frikë se unë dhe stafi im, jemi dëshmitarët e gjallë të dëshirës dhe pasionit të saj për të mbështetur e ndihmuar Shqipërinë, jemi të lumtur që patëm mundësinë të kemi në krah një grua që i shërbeu këtij vendi të vogël si të ishte bijë e tij, një grua që me këmbënguljen e saj arriti të realizonte premtimet e dhëna në atë fjalë të parë, kur gjithkush besonte se ishte një fjalë e shkruar nga këshilltarët e radhës dhe jo misioni dhe vizioni i qartë i saj.
E dashur Yuri të uroj nga zemra rrugëtim të mbarë në vazhdimësi dhe jam e sigurtë që Shqipëria dhe shqipëtarët kanë një vend të veçantë, përgjithmonë në zemrën tënde, ndaj jam e sigurtë që kjo nuk është një lamtumirë. Shihemi së shpejti.