Kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi i ka dërguar një letër Presidentit të Komisionit të Venecias, Gianni Buquicchio në lidhje me procedurat për emërimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, por edhe rolin e Presidentit Ilir Meta.
Letra mban datën 30 dhjetor 2019 dhe aty parashtrohet gjithë ajo që ka ndodhur me Këshillin e Emërimeve në Drejtësi dhe përzgjedhjen e kandidaturave për plotësimin e vakancave në Gjykatën Kushtetuese dhe më pas drejtohen 6 pyetje.
Ndër të tjera në letër thuhet se më 5 dhjetor “Kuvendi ka zgjeruar objektin e hetimit” të komisionit hetimor për shkarkimin e Presidentit të Republikës dhe “afatin e veprimtarisë së tij, nisur nga një kërkesë e re e një grupi deputetësh për të shtuar në procesin hetimor dhe disa akte dhe veprime të tjera të Presidentit në lidhje me emërimin e gjyqtarëve kushtetues ndodhur në nëntor të këtij viti, për të cilat kërkuesit çmojnë se Presidenti ka kryer shkelje të detyrimeve kushtetuese dhe përbëjnë shkak për shkarkimin e tij”.
Pyetjet drejtuar Gianni Buquicchios
1. Emërimi i një gjyqtari kushtetues tej afatit prekluziv 30
ditor dhe jashtë listës së kandidatëve të miratuar me vendim të Këshillit të
Emërimeve në Drejtësi a cenon parimin e Gjykatës së krijuar me ligj? Sa e
pajtueshme është me konceptin e një “gjykate të caktuar me ligj”, siç
parashikohet në Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut, zgjedhja e një
gjyqtari në kundërshtim me procedurën kushtetuese dhe ligjore?
2. A ndikon situata e paraqitur në pyetjen e parë në legjitimitetin e
vendimmarrjes së Gjykatës Kushtetuese duke vënë në dyshim garancitë e shtetasve
për një proces të rregullt ligjor? A bie ndesh kjo me opinionin e Komisionit të
Venecias të datës, 14.03.2016, për mekanizmat zhbllokues në zgjedhjen dhe
emërimin e anëtarëve të organeve kushtetuese?
3. A është në përputhje me standardet më të mira, zbatimi i mekanizmit
zhbllokues pas mosveprimit të Presidentit për të emëruar brenda 30 ditëve
gjyqtarin kushtetues, si rrjedhojë e të cilit konsiderohet i emëruar gjyqtari kushtetues?
4. A mundet Presidenti të mos organizojë ceremoninë e betimit të gjyqtarit
kushtetues kur ai/ajo në kuptim të ligjit konsiderohen të emëruar? Në këtë
rast, a konsiderohet e cenuar e drejta e një gjyqtari kushtetues të ushtrojë
detyrën?
5. Në rast se Presidenti nuk organizon ceremoninë e betimit të gjyqtarit
kushtetues, nisur nga solemniteti i betimit si akt, çfarë mekanizmi mund të
përdoret për ta zhbllokuar një situatë të tillë? A është betimi me shkrim një
formë për të plotësuar kushtin e betimit, për të filluar ushtrimin e detyrës,
në situatën kur gjyqtari është emëruar në detyrë për efekt të ligjit?
6. Cilat mund të ishin zgjidhjet sipas standardeve më të mira ndërkombëtare për
të shmangur rastet kur organi i ngarkuar me kryerjen e betimit refuzon të
thërrasë për betim zyrtarin?