Në pamundësi për t’i mbyllur klasat e bashkuara, apo ato që u cilësuan si “kampe përqendrimi”, qeveria po përpiqet të sigurohet se nga ato banka nuk dalin analfabetë funksionalë.
Për këtë, Ministria e Arsimit ka menduar t’i fusë në provim në datën 6 dhjetor, për të parë nëse ata dinë shkrim e këndim.
Të hënën e parë të muajit dhjetor, gati 21 500 nxënës do t’i nënshtrohet testimit kombëtar që mat nivelin e dijeve të arritura në tri lëndët bazë: gjuhë shqipe, lexim dhe matematikë.
Në një orë testim, që nis në orën 10:00, ata do t’u përgjigjen disa pyetjeve në provim, modeli i të cilit nuk specifikohet në udhëzimin e firmosur së fundmi nga Ministrja e Arsimit. Përpos datës, udhëzimi ngarkon drejtoritë rajonale të arsimit parauniversitar të caktojnë një numër administratorësh provimi, njëjtë si për testimet e maturës, për të shmangur kopjimet apo keqadministrimin e tezës.
Janë ekspertët e Qendrës së Shërbimeve Arsimore ata që do të merren me hartimin e tezës dhe shumëfishimin e saj, proces që do të kryhet sipas një udhëzimi të firmosur në vitin 2019, kur u zhvillua testi i parë.
