Shkon në 3 numri i personave të arrestuar në lidhje me 1 milion euro të dyshuara të falsifikuara që iu kapën një kamerunasit në datë 17 shkurt në Rinas.
Kamerunasi Zinedin Nkeh kishte 10 ditë që kishte ardhur në vendin tonë në mënyrë tranzite. Më datë 13 shkurt rezultoi se ai ishte nisur me linjën Paris-Stamboll, Stamboll-Podgoricë dhe nga Podgorica kishte hyrë në territorin shqiptar në rrugë tokësore me taksi.
Ndërsa 40 vjeçarja zvicerane e arrestuar mbrëmjen e djeshme kishte rreth 2 vite që jetonte në Shqipëri pa pasur leje qëndrimi apo leje pune. Ajo prezantohej në vendin tonë si agjente imobilare dhe se bashkëpunonte me një shoqatë të huaj.
Në sajë të hetimeve, policia ka dyshime se shuma prej 100 mijë eurosh e falsifikuar do të përdorej për blerjen e një prone, duke mashtruar një biznesmen.
Gjatë arrestimit të personit kyç në këtë skemë, Zinedin Nkeh, iu gjetën edhe disa solicione të cilat ai i përdorte për të hequr bojën e zezë tek paratë, në mënyrë që të mos kuptoheshin që ishin të falsifikuara.
