Kandidati për Eurokomisioner për zgjerimin, hungarezi Oliver Varhelyi zhvillon sot seancën dëgjimore në Komisionin e Jashtëm të Parlamentit Europian.
Ai e nisi fjalën e tij pikërisht me përpjekjet që do të bëjë për çeljen e negociatave të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë me Bashkimin Europian pa vonesë.
Varhelyi ka theksuar në fjalën e tij mbështetjen për reformat e rëndësishme dhe sidomos zbatimin e tyre në terren, rritjen e mbështetjes financiare për vendet fqinje dhe sigurimin e kushteve të udhëtimit për të gjithë.
Por eurodeputët janë shprehur skeptikë lidhur me distancimin e tij nga qeveria hungareze për të mos minuar sundimin e të drejtës, të drejtat e njeriut, lirinë e shprehjes dhe pavarësinë gjyqësore si çështje kryesore për tu diskutuar me fqinjët e BE-së.
