Kreu i PD-së, Sali Berisha në konferencën për shtyp me gazetarët, tha se në zgjedhjet e ardhshme lokale, PD-ja do të jetë në garë me siglën e saj. Ai u shpreh se një gjë është e sigurt në zgjedhje kandidatët nuk do të caktohen nga vetë Sali Berisha. A mund të ketë koalicion me Partinë e Lirisë? Berisha tha se me rëndësi është që të zhvillohen primaret.
“Ne mirëpresim dekretin, caktimin e datës së zgjedhjeve. Nuk kishte asnjë arsye që të mos dilte që ditën e parë të inaugurimit të presidentit të ri. PD në këto zgjedhje sjell risinë më të madhe në historinë e këtij vendi, sjell primaret të cilat pas vendosjes së pluralizmit politik janë arritja më e madhe e demokracisë shqiptare. Ne presim me shumë përkushtim dhe kënaqësi zbatimin e këtij zotimi solemn në zgjedhjet që vijnë.
Kjo do të jetë pas themelimit të pluralizmit politik, risia më e madhe që themelohet në demokracinë shqiptare. E mirëpresim datën. Do të diskutojmë dhe jemi për koalicione, por natyrisht parimi ynë bazë nuk ndryshon: ne jemi për primare. Një gjë është e sigurt që kandidatët nuk do ti caktojë Sali Berisha.
PD ja do të shkojë në zgjedhje me siglën e saj, Rama do të paguajë një çmim të tmerrshëm, ai kërkon të shuajë opozitën por do e shofe mirë që opozita do të jetë e pamposhtur. Ai është armik e do marrë përgjigjen si armik. Ta dijë këtë, ai e din këtë”.