Zv.ministrja e Brendshme Romina Kuko, thotë se qasja ndaj komunitetit dhe integriteti, janë dy kriteret kryesore në përzgjedhjen e listës së kandidatëve për deputetë të Partisë Socialiste në zgjedhjet e 11 majit.
“Për PS, këta individë duhet të jenë njerëz që kanë bindje të majta dhe angazhim me komunitetin, se roli i deputetit përcakton një zonë të caktuar. Duhet të kalojmë në një epokë që politika duhet parë si shërbim dhe jo ofiq. Ky është kriteri i parë. Një nga kërkesat është; shkoni në komunitetet tuaja dhe shikoni sa njerëz ju ndjekin dhe sa qasje keni në komunitet.
Së dyti integriteti është shumë i rëndësishëm , reforma në drejtësi krijoi kushtet për të reformuar klasën politike, këto të dyja janë kryesoret. Ka njerëz që mendojnë se duhet të jenë në lista, apo njerëz që mendojnë se kanë dhënë kontribut, por janë një seri faktorësh. Lista e zgjedhjeve të 2025-ës do të jetë një listë me risi, duke pasur parasysh këto kritere që përmenda dhe mbi të gjitha integritetin e personave që do të zgjidhen për të përfaqësuar PS-në në zgjedhjet”, tha Kuko në A2 CNN.
E pyetur nëse po shfrytëzon Partia Socialiste zyrat elektorale për të regjistruar emigrantët në zgjedhje, Kuko e mohoi një gjë të tillë, por theksoi se ka grupe që ndihmojnë njerëzit për t’i orientuar se ku duhet të regjistrohen për votën e diasporës.