Sokol Cikalleshi largohet nga Goztepe. Divorci u zyrtarizua nga klubi turk. Një aventurë e dështuar për sulmuesin e pafat, i cili në verë la Osmanlisporin për Goztepe-n, në huazim një-vjeçar, por që në fillim një dëmtim e ndali gjatë.
Më pas procesi i riaftësimit ishte i ngadaltë dhe Goztepe nuk e hodhi në fushë asnjëherë si titullar në kampionat, duke i dhënë hapësirë vetëm në kupë, ku sulmuesi shqiptar shënoi 2 gola në 3 ndeshje. Tani vjen ndarja, edhe për faktin se Cikalleshi kërkon të luajë rregullisht, gjë që Goztepe nuk ia garanton.
Kthimi tek Osmanlispori në Ligën 2 turke është i detyruar, sepse Cikalleshi ka luajtur aty pak minuta në gusht dhe tashmë nuk aktivizohet dot në klub të tretë. Përjashtim do ishte një ofertë nga klube që u përkasin kampionateve që nisin tani, por kjo gjë ka pak gjasa të ndodhë.
Osmanlispori po mundohet të kthehet menjëherë në Ligën 1 dhe është në zonën play-off, ndaj kthimi i Cikalleshit mund t’i japë një ndihmë të madhe në sulm, aty ku në pjesën e parë të sezonit golat nuk kanë qenë të shumtë, vetëm 21 në 17 ndeshje. Për këtë arsye, Osmanlispori ka afruar para pak ditësh sulmuesin me eksperiencë të madhe në futbollin francez, Sloan Privat, nga Valenciennes, ndërsa tani i kthehet edhe Cikalleshi.