Zgjedhjet e 26 Majit 1996 janë shembulli se si nuk duhet të bëhen zgjedhje. Në atë të dielë, Partia Socialiste tërhoqi komisionerët nga të gjitha qendrat e votimit në vend pa u mbyllur procesi zgjedhor.
Pretendimi i Partisë Socialiste ishte se qeveria po manipulonte dukshëm zgjedhjet. Fitorja ishte e demokratëve. Partia Socialiste mori 10 deputetë, Partia Republikane 3 deputetë, Balli Kombëtar 2 deputetë, Bashkimi për të Drejtate Njeriut 3 deputetë, ndërsa demokratët 122 deputetë. PS nuk i njohu rezultatet dhe bojkotoi Parlamentin.
Ripërsëritet historia, me të njëjtët lojtarë, por që kanë kaluar nga mbrojtja në sulm. Edhe sot, 122 është numri i deputetëve në Parlament, që etiketohet si monopartiak nga opozita. PD e LSI e kanë bojkotuar atë. Manipulimi i rezultateve zgjedhore, sot me metoda më të avancuara si shit-blerja e votave, ishin arsyet që opozita listoi dhe që e çuan drejt përshkallëzimit të aksionit opozitar, deri në dorëzimin e mandateve. Dhe për gati 5 muaj janë ngritur në protesta.
Zgjedhjet e 26 Majit u konsideruan nga ndërkombëtarët me legjitimitet të cunguar. Sipas tyre, këto ishin zgjedhjet më të parregullta që ishin zhvilluar ndonjëherë pas rrëzimit të komunizmit në një vend të Europës Lindore. Në atë kohë, në misionin e vëzhgimit ishte edhe zonja Glover që po kryeson misionin e ODIHR-it edhe në zgjedhjet e 30 qershorit 2019. Raporti i vëzhguesve të ODIHR-it, i publikuar më 2 korrik 1996, theksonte:“Kodi Zgjedhor është shkelur në mënyrë flagrante. Zgjedhjet janë kompromentuar, janë shkelur 32 nga 79 nene të Kodit Zgjedhor”.
Këshilli i Europës përmes një rezolute u shpreh: “Zgjedhjet janë njollosur nga dhuna dhe parregullsitë”. Më 21 qershor, Departamenti i Shtetit i dha një tjetër damkë të zezë asaj masakre elektorale: “Një hap prapa në krahasim me zgjedhjet e mëparshme”.
PD-ja dhe media e kontrolluar prej saj ndërmori një fushatë denigrimi për vëzhguesit ndërkombëtarë. Ata deklaruan se rreth 30% e ekipit vëzhgues të ODHIR-it ishte ftuar nga PS-ja dhe se 9 vëzhguesit norvegjezë ishin aktivistë të rinisë komuniste. Edhe sot, ndërkombëtarët kanë pushtuar rrjetet sociale me deklarata parazgjedhore, ku bashkohen në një pikë: në zgjedhje të mos ketë dhunë.
Në 26 Majin e 1996, rrugët e Shqipërisë u mbushën me trupa të armatosura me kallashnikovë dhe me maska. Socialistët opozitarë intensifikuan betejën për zgjedhje të parakohshme. Vijuan bojkotin parlamentar duke mos njohur zgjedhjet e 26 Majit. Zgjedhjet e përgjithshme të 26 Majit që u zhvilluan në Shqipërinë e vitit 1996, më shumë sesa për keqadministrimin e tyre, mbahen mend për rrahjen e protestuesve në qendër të kryeqytetit.
Gjithçka filloi në mesditën e 28 majit 1996, në orën 12.00, kur liderët opozitarë të PS, PSD dhe PAD-së, pas thirrjeve që kishin bërë një ditë më parë, dolën të protestonin në sheshin “Skënderbej”. Policia kishte rrethuar sheshin me qëllim që të mos i linte protestuesit të manifestonin.
KQZ, pas thirrjes së ndërkombëtarëve për të përsëritur votimet në 40 zona, duke pranuar se kishte pasur parregullsi në votime, vendosi që këto të përsëriteshin vetëm në 13 zona. Kjo nuk u pranua nga opozita, që kërkonte përsëritjen e plotë të zgjedhjeve, prandaj në votimet e 13 zonave që u bënë më 16 qershor 1996, opozita nuk mori pjesë. PS nuk shkoi në Parlament dhe e bojkotoi atë. Pak frymëmarrje situatës postzgjedhore i dha vendimi sipas të cilit pozita dhe opozita do të kishin numër të barabartë anëtarësh në KQZ. Pas ndryshimeve të kërkuara, opozita vendosi të hyjë në zgjedhje. Kryetari i PS, Fatos Nano, vazhdonte të ishte në burg, ndërsa PS nisi përgatitjet për zgjedhjet lokale të 20 tetorit. Zgjedhjet e 20 tetorit u fituan nga mazhoranca demokrate, por me një diferencë më të vogël votash se ato të 26 majit. Si për ironi të fatit, Presidenti Meta ka dekretuar një datë të dytë për zgjedhjet lokale po në tetor, në të dielën e dytë të këtij muaji.
Edhe 23 vjet më pas, politika shqiptare nuk bën dot pa krizën. Ato zgjedhje jashtë çdo standardi, me bojkote, protesta dhe pakënaqësi shtruan rrugën e zgjedhjeve të parakohshme në 1997. Po ky 30 qershor, a do të shtrojë rrugën për zgjedhje parlamentare në vjeshtë? Në pranverën e ardhshme? Apo do të presim vitin 2021? Kjo mbetet për t’u parë. Pak, por e sigurtë është se nga e shkuara, duhen nxjerrë mësime.