Deputeti Bujar Leskaj në një reagim në rrjetet sociale ka ndarë një lajm të hidhur, ku ka ndërruar jetë piktori shqiptar Omer Kaleshi në moshën 90-vjeçare.
Postimi i plotë:
Sot u nda nga jeta në moshën 90- vjeçare piktori i madh, personaliteti i përmasave europiane, Omer Kaleshi. U lind në vitin 1932 në fshatin Kastriot të Kërçovës në Maqedoninë e Veriut. Në vitin 1956 emigroi në Stamboll, Turqi me gjithë familje ku në vitin 1959 fillon në studimet në Akademinë e Arteve të Bukura në Stamboll, dega e pikturës.
Në vitin 1963 hap ekspozitën e parë personale në galerinë “Robert College” në Stamboll, kurse në vitin 1965 përfundon studimet dhe njëkohësisht hap disa ekspozita në Ankara, Beograd, Shkup dhe po këtë vit Omer Kaleshi vendoset në Paris.
Omer Kaleshi ka qenë gjithkund i pranishëm me ekspozita personale dhe kolektive. Në vitin 1967-1977 ka ekspozuar punimet e tij, ndër të tjera edhe në: Hagë, Paris, Leçe e shumë kryeqytete të tjera europiane.
Në vitet në vijim Omer Kaleshi do të çelë një numër të madh ekspozitash në Paris, SHBA, Kanada, Stamboll, Londër, Ankara, Egjipt, Spanjë, Zvicër, Moskë, Izmir, etj.
Ka hapur gjithashtu ekspozitë në Galerinë e Arteve në Tiranë dhe Galerinë e Arteve të Kosovës në Prishtinë. Në Shkup para gjashtë viteve u hap Galeria e përhershme me emrin e tij në Galerinë Kombëtare e Arteve në Shkup, për të nderuar emrin e tij. Omer Kaleshi ishte një personalitet akademik i nderuar nga shumë universitete dhe akademi.
Me veprën e vet Omer Kaleshi do të jetojë përjetësisht si shembulli i shkëlqyer i artistit që ngriti në piadestalet e larta vlerat e identitetit tonë kulturor.