Nga Gerti Çarçani
Është pabesueshme, por është fakt dhe është e vërtetë. Presidenti i Republikës bllokon personalisht ekipet kombëtare të futbollit, duke frenuar pa dhënë një arësye konkrete ingranazhin e plotë të procesit të dhënies së shtetësisë shqiptare për ekipet kombëtare të futbollit, duke refuzuar dhënien e 16 shtetësive shqiptare për futbollistë që janë parë, kontaktuar, dakordësuar dhe së fundmi thërritur nga stafet e ekipeve kombëtare, por që gjejnë cuditërisht ulur edhe derën e Presidentit të Republikës, për të finalizuar praktikën që nis nga institucionet e linjës, përfshirë edhe aprovimin e Shërbimit Informativ Shtetëror. Mungesa e Dekreteve/it të Presidentit thjesht dhe vetëm dëmton drejtpërsëdrejti zhvillimin e ekipeve kombëtare, njëherësh edhe një proces normal, pa dhënë një motivacion konkret e shpjegues për këtë rast. Amullia brenda zyrave të Institucionit të Presidentit të Republikës, për një dekret të tillë në shërbim të forcimit të ekipeve kombëtare të futbollit mbetet një joseriozitet i dëmshëm në kurriz të misionit kombëtar nëpërmjet sportit, për përfaqësimin e Shqipërisë në arenën europiane, mbrojtjen dhe lartësimin e simboleve dhe ngjyrave kombëtare të Republikës së Shqipërisë nëpërmjet futbollit. Po kështu, refuzimi paralel nga Z. Begaj i institucioneve të vendit, dhe mbi të gjitha i dy ministrive përkatëse të linjës në këtë proces, Ministria e Brendshme dhe ajo e Arsimit, shtuar edhe certifikimin e SHISH për lojtarët që kanë vendosur të përfaqësojnë ngjyrat shqiptare në kompeticionet europiane të futbollit dëshmon seriozitetin maksimal të munguar në zyrën e Presidentit të Republikës, për sa kohë nuk ka një shpjegim, motivim, apo shkak e arësyetim për një refuzim të tillë që dëmton tërë ingranazhin e ekipeve kombëtare! Paraardhësit e Zotit Begaj, presidentët e mëparshëm në vitet e mandatave të tyre kanë dekretuar mbi 120 dhënie shtetësish të lojtarëve të ndryshëm që janë integruar në ekipet kombëtare të futbollit, duke i dhënë dritë jeshile të shpejtë proceseve të tilla. I takon vetë Z. Begaj që me fare pak vullnet të zhbllokojë një proces të tillë që mbase mund të jetë edhe produkt i ndonjë burokracie në aparatin e tij drejtues, për t’i hapur rrugë dekretimit të shpejtë lojtarëve që do të përfaqësojnë Shqipërinë. Lojtarët e ekipit kombëtar janë dhe do të jenë pjesë e ngjyrave kuqezi dhe një qasje e tillë fyese pa një argumentim shterrues, pas konfirmimit nga ministrat përkatës, shndërrohet në një ego apo kapricio që ndoshta nuk mund ti shkojë seriozitetit apo staturës së institucionit të Presidentit të Republikës. 17 muaj bllokade për dekretim, jo ministrash, por për dhënien e shtetësisë për ata që nesër do të luajnë me ngjyrat e Shqipërisë. Presidenti i Republikës së Shqipërisë nuk mund t’i bllokojë lojtarët kuqezinë e Republikës së Shqipërisë! E thjeshtë ta bllokosh! E habitshme ta shkatërruash! E ndershme të hapësh rrugë!
Lexo edhe: Tre futbollistëve kuqezinj nuk u jepen pasaportat shqiptare, ndryshon lista e U-21
Lexo edhe: Bajram Begaj: E vërteta e pasaportave për futbollistët e Kombëtares
