Këngëtarja Besa Kokëdhima është një nga zërat më të fuqishëm në tregun muzikor shqiptar. Edhe pse ka më shumë se një dekadë që është pjesë e muzikës, publiku nuk është ngopur kurrë së dëgjuari këngët e saj, që gjithmonë kanë rezultuar mjaft të suksesshme. Ndonëse presim me padurim të dëgjojmë diçka të re prej saj, Besa këto kohë nuk ka qenë shumë aktive. Ajo po bën gati 1 vit që nuk ka publikuar asnjë këngë të re, ndaj ne kemi qenë gjithnjë sy e veshë për të mësuar nëse këngëtarja po përgatiste diçka në planin profesional.
Dhe në fakt, po, këngëtarja ka gati një këngë që pritet të publikohet së shpejti. Ditën e sotme ajo ka zbuluar se së shpejti do të rikthehet me një këngë të re. Ajo do të mbajë titullin “Margjelo” dhe pritet të publikohet në datë 8 maj. Nuk e dimë nëse ky do të jetë një ripunim i këngës së vjetër shkodrane apo një projekt tërësisht i ri, ndaj do të na duhet të presim edhe pak ditë për të mësuar gjithçka.
