Finlanda, si shteti që mban Presidencën e radhës së Bashkimit Evropian shprehet pro çeljes së negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, ndërkohë që media finlandeze zbulon dhe skenarin, që vendi ynë thjesht të marrë dritën jeshile pa nisur proceset, ndërsa Maqedonia e Veriut të nisë punën që në dhjetor.
mtvuutiset.fi, media e njohur finlandeze thotë se qëndrimi i Finlandës u shpreh mjaft mirë në Budapest të hënën e shkuar nga kryeministri Antti Rinne. “E rëndësishme që Unioni tu tregojë vendeve të Ballkanit Perëndimor një perspektivë të besueshme të anëtarësimit pasi reformat të përparojnë sa duhet. Sundimi i ligjit gjithashtu një nga çështjet kryesore që duhet të ndiqet në procesin e zgjerimit”, është shprehur Rinne në një konferencë të përbashkët për shtyp me homologun hungarez Viktor Orban.
Media thotë se Gjermania tani po propozon një kompromis për të cilin shpreson të jetë i pranueshëm dhe për vendet skeptike, si Holanda dhe Danimarka. “Propozohet që negociatat me Maqedoninë e Veriut të hapën të paktën deri në dhjetor. Në rastin e Shqipërisë, do të merret një vendim në parim, i cili do të regjistronte hapjen e negociatave ndërsa vendi ende po bën disa ndryshime të caktuara”, vijon më tej shkrimi në median finlandeze.
Në shumë aspekte, Maqedonia e Veriut është konsideruar si më e pranueshme për anëtarësim se sa vendet e tjera të Ballkanit, por u pengua gjatë nga kundërshtimi i ashpër i Greqisë, e cila kërkoi ndryshimin e emrit.

