Konica është një ndër mbiemrat me të shquar të historisë së Shqipërisë, ku mjaft e njohur është figura e Faikut dhe vëllait të tij Mehmetit.
Familja Konica pati tri diplomatë nga trungu i saj të cilët shërbyen në rangje të ndryshme përfaqësimi të vendit gjatë viteve ’20- ’30 të shekullit të kaluar. Përpjekjet e Faikut për të njohur Shqipërinë e më pas edhe të Mehmetit për investime në vend shihen mjaft mirë përmes dokumenteve të publikuara nga arkiva online e Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme. Krahas dy vëllezërve mjaft i njohur në fushën e diplomacisë ishte dhe djali i Mehmetit, Skënderi.

Faik Konica, figurë e rëndësishme e Rilindjes Kombëtare Shqiptare, lindi në Korçë me 15 maj 1875. Arsimin fillor e nisi në Shkodër, ndërsa atë të mesëm e filloi në Liceun perandorak të Gallata Saray të Stambollit dhe e mbaroi në Liceun e Karkasonit në jugun e Francës. Studimet universitare i mbaroi në Fakultetin e Letrave në Dizhon (Francë) dhe më pas vijoi për dy vite rradhazi kurse në letërsinë greko-latine dhe mesjetare. Mbas vitit 1909 shkoi në SHBA ku drejtoi për shumë vite gazetën “Dielli” të Federatës Panshqiptare “Vatra”. Në vitin 1921 migracioni shqiptar e zgjodhi president të Federatës. Në qershor 1926 qeveria shqiptare e emëroi Faik Konicën Ministër Fuqiplotë të Shqipërisë në Uashington. Ai e përfaqësoi denjësisht Shqipërinë në atë pozicion deri në 7 prill 1939. Më pas qëndroi në Uashington deri në fund të jetës, dhjetor 1942.

Mehmet Konica, personalitet shtetëror dhe diplomat shumë i aftë. Lindi në Konicë në 1878. Arsimin e filloi në Janinë dhe e përfundoi në Liceun perandorak të Gallata Saray të Stambollit. Studimet universitare i kreu në Shkollën e Lartë Administrative “Mylqie” të Stambollit. Që në moshën 22-vjeçare Mehmeti ishte sekretar diplomatik për shtypin pranë MPJ osmane. Nga viti 1908 deri sa u kthye në Shqipëri në vitin 1913 shërbeu si nënkonsull osman në Trieste, Fiume, në Sulina (Rumani), Arte e Korfuz, dhe si konsull në Varna të Bullgarisë. Nga janari 1913 e deri në fillim të Luftës së Pare Botërore ai ishte delegat shqiptar në Konferencën e Ambasadorëve në Londër , dhe nga korriku 1914 deri në shtator të ketij viti ishte Minister i Jashtëm i qeverisë së Turhan P.Përmetit. Pas Luftës së Parë Botërore, Mehmet Konica ishte delegat shqiptar në Konferencën e Paqes në Paris. Kongresi i Lushnjës e zgjodhi Ministër të Jashtëm të qeverisë Delvina, 31 janar 1920. Ai shërbeu si Minister deri me 19 nëntor 1920. Nga nëntori 1920 e deri në janar 1922 Mehmet Konica ishte deputet në parlamentin shqiptar. Ndërkohë që ishte deputet, në dhjetor 1920 u dërgua në Londër si përfaqësues jo-zyrtar i qeverisë shqiptare dhe raportonte për situatën në vend dhe opinionet e qeverisë britanike për Shqipërine. Me 9 gusht 1921, Regjenca shqiptare e dekretoi Te Ngarkuar me Punë në Londër dhe në shkurt 1922, pas vendimit të Konferencës së Ambasadoreve 9.11.1921 për Shqipërinë, Mehmeti u akreditua si Minister Fuqiplotë në Londër. Në gusht 1922 ai u dekretua Ministër Fuqiplotë edhe në Paris. Të dy detyrat i ushtroi deri në janar 1925 kohe kur dha dorëheqje për arsye politike. Ai u kthye në Parlamentin Shqiptar si deputet dhe u zgjodh kryetar i grupit parlamentar për problemet e Ballkanit dhe si i tillë mori pjese në të gjithë veprimtaritë diplomatike rajonale në vitet ’30-të. Pas pushtimit te Shqipërisë, ai nuk pranoi detyra në qeveritë bashkëpuntore, migroi në Itali dhe vdiq atje në 1948.

Skender Konica, djali i Mehmet Konicës, lindi ne 1904 në Stamboll. Arsimimin e filloi në Stamboll dhe e përfundoi në Francë ne 1926. Në fillim të v.1927 ai erdhi në Tiranë dhe me 19 qershor 1927 Skenderi u përfshi në shërbimin diplomatik shqiptar. Në rangun e Sekretarit të III ai shërbeu në disa detyra në MPJ e përfaqësi, ne Manastir, Sofie, Korfuz. Në Sofie ai shërbeu gjate vitit 1933 e gjysma e pare e v.1934 edhe si I Ngarkuar me Pune i legatës shqiptare në mungesë të titullarit të saj. Vdiq ne vitin 1981, pasi kreu disa dënime politike.
Të gjitha dokumentet mund t’i lexoni këtu.
