Gazetari Artan Hoxha është paraqitur sot në Prokurorinë e Durrësit, ku i janë kthyer dy celularët e sekuestruar më datë 16 shtator 2016 fill pas një deklarate në emisionin “Opinion”. Prokuroria i mbajti të bllokuar celularët e Hoxhës për 5 vite e 3 muaj ose fiks 1 918 ditë.
Prokuroria e Krimeve të Rënda i kërkoi Artan Hoxhës që të paraqitej tek ta menjëherë pas një deklaratë në emision në lidhje me rrëzimin në grykëderdhjen e lumit Ishëm të avionit me drejtues një pilot Italian Guido Andrea Guidi.
Fill pasi mbaroi emisioni, vetë drejtuesi i “Opinion” e shoqëroi gazetarin Artan Hoxha me makinën e tij në prokurori për të dhënë deklaratë. Në videon e publikuar nga Fevziu atëherë, Hoxha shprehet se paraprakisht prokurorët i kanë thënë se thirrja kishte të bënte me nxjerrjen e sekretit hetimor mbi rrëzimin e avionit në fjalë, i cili dyshohet se kishte ardhur në Shqipëri për të transportuar 200 kilogram lëndë narkotike, kanabis sativa.
Ndërkohë, në një intervistë të ditës së nesërme, datë 17 shtator 2016 në “News24”, gazetari Artan Hoxha shprehet se ishte thirrur nga tre oficerë të policisë gjyqësore për t’u paraqitur në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, ku edhe i kishin sekuestruar celularët.
