Ishte 5 qershori i vitit 1997 kur Forcat Speciale mbërritën në qytetin verlindor për të “shtruar” kontigjentet e Policisë. Asokohe qyteti ishte përfshirë në kaosi, krimi, rrëmuja. Të shtënat me breshëri të këtyre forcave në drejtim të qytetarëve të pafajshëm i morën jetën 21-vjecarit Albert Muharremi. Ai së bashku me bashkëmoshatarët qëndronin afër Kryqëzimit të Spitalit kur breshëritë e armëve e rrëzuan të riun përtokë. U dërgua shpejt në spitalin lokal, por për shkak të plagëve të rënda mjekët e dërguan drejt Tiranës. Megjithë kujdesin e treguar Muharremi nuk mbijetoi.
Për 22 vite me radhë nëna e tij, Razie Muharremi, kërkoi drejtësi, kërkoi zbardhjen e të vërtetës, kërkoi vendosjen e dinjitetit në vend. Trokiti në Presidencë, Qeveri, Ministrinë e Drejtësisë, Prokurorinë e Përgjithshme, Policinë, Gjykatën dhe Prokurorinë e Matit. Deri në verën e vitit 2013 askush nuk dha sqarime për ngjarjen e rëndë.
Rihapja e çështjes zbardhi të vërtetën. Organet e drejtësisë Mat u shprehën zyrtarisht se Albert Muharremi është vrarë nga Policia e Shtetit, në qershor të vitit 1997. Dëshmitarë okularë, mjekë dhe të afërm dëshmuan me prova e fakte se 21 vjeçari është vrarë gabimisht.
Vite më parë Këshilli Bashkiak Burrel vendosi ta shpallë “Qytetar Nderi” Albert Muharremin, duke theksuar se ai dha kontribut të vyer për proçeset demokratike.
Sakaq në mbledhjen e fundit të Këshillit Bashkiak Mat u vendos me unanimitet të plotë që t’i propozohet Këshillit të Qarkut Dibër dhe Ministrisë së Mbrojtjes shpallja “Dëshmor i atdheut” të Albert Muharremit, duke argumentuar se ai u vra gabimisht nga Forcat Speciale të Tiranës.
Razie Muharremi shprehet se është e lumtur se më në fund autoritetet vendore ndërmorën një iniciativë domethënëse, duke vlerësuar kontributin e djalit të saj, Albert Muharremit.
E prisnit këtë vlerësim nga Këshilli i Bashkisë Mat ?
Nuk gjej fjalë për t’i falenderuar të gjithë këshilltarët, të majtë e ta djathtë. Vendimi për ta shpallur Bertin “Dëshmor të atdheut” sikur ma ka lehtësuar dhimbjen. Tani jam pak më e qetë. Këshilltarët gjykuan me qytetari kontributin e djalit tim. Ai u vra pabesisht nga Forcat Speciale. Nuk kam lënë derë pa trokitur për të zbardhur të vërtetën.
A është zbardhur tashmë ngjarja e 5 qershorit 1997 ?
Prokuroria Alketa Nushi hetoi me profesionalizëm. Ajo mblodhi prova e fakte të shumta. Pyeti autoritetet e kohës, zyrtar të Policisë, mjekë të spitalit Burrel, dëshmitarë që janë ndodhur në vendin e ngjarjes. Prokuroria doli në konkluzionin se Berti është qëlluar me 5 qershor ’97 nga Forcat e Repartit 711. Ai po qëndronte në këmbë pranë kryqëzimit të spitalit. Në vendimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Mat thuhet: “Viktima Albert Muharremi është vrarë gjatë gjuatjes me armë zjarri të punonjësit të Policisë së Repartit 711”.

