Policia ende nuk ka një panoramë të qartë se çfarë qëndron pas sulmit të dy policëve të premten në Vlorë. Hetimet të cilat nisën menjëherë pas të shtënave, kanë bërë të mundur identifikimin e autorit që qëlloi me armë drejt automjetit ku ndodheshin dy efektivë policie jashtë shërbimit dhe veshura me rroba civile.
Ai është një person me precedentë penalë. Diego Haxhiraj alias Teki Haxhiraj alias Diego Hanaj, që dyshohet se qëlloi në drejtim të automjetit me të cilin udhëtonin efektivët, Angjelo Breshani dhe Nako Mehmetaj.
Pasi u qëlluan me armë zjarri, duke u rrezikuar seriozisht jetën, dy efektivët e policisë, njëri i Patrullës së Përgjithshme dhe tjetri i Policisë Kufitare në Sarandë, kanë deklaruar se nuk i njohin autorët dhe se nuk kishin konflikte. Policia ka shoqëruar edhe 8 persona për ngjarjen, të cilët janë liruar më pas.
Automjeti që lëviznin policët ishte me xhama të zinj. Ata po përcillnin njëri-tjetrin në banesë pasi kishin qenë në një palestër në zonë. Ndërkohë, në një rrugicë kanë përballur me makinën që i ka qëlluar, të cilën e kishin parakaluar më herët. Këtu ka nis gjithçka ndërsa autorët mund të kenë menduar edhe për ndonjë automjet të dyshimtë dhe kanë qëlluar.