Gjykata e Shkodrës e ka cilësuar të ligjshëm arrestimin e Marjana Vuksanajt pak ditë më parë pasi policia zbuloi një fermë kanabisi në bodrumin e shtëpisë së saj. Pas konstatimit të arrestimit si të ligjshëm, trupa gjykuese dha masën e sigurisë “arrest shtëpie” ndaj saj.
Në kuadër të operacionit “Jeran”, policia shpalli në kërkim edhe bashkëshortin e saj, i cili dyshohet po ashtu të jetë organizator i aktivitetit të prodhimit dhë kanabisit.
Gjatë kontrollit policia gjeti 139 kanabis sativa të tharë në bodrum si edhe 132 fidane të tjera të mbjella. Krahas tyre, policia gjeti edhe disa llampa që përdoreshin për rritjen e bimëve.
“Gjatë zhvillimit të operacionit janë sekuestruar 139 kg lëndë bimore e dyshuar cannabis sativa, 132 fidanë të dyshuar narkotikë të kultivuar në vazo, 63 llamba elektrike, baza të tjera materiale që shërbenin për kultivimin e kanabisit nëpërmjet llambave elektrike dhe 1 automjet. Gjithashtu, gjatë operacionit, në këtë banesë është konstatuar lidhje e paligjshme e energjisë elektrike”, njoftoi policia.
