Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Muhamet Rrumbullaku ka dhënë detaje nga megaoperacioni i koduar “Tempulli” për goditjen e shpërndarjes së drogave në afërsi të shkollave, lokaleve, dhe blloqeve të banimit. Operacioni u zhvillua në të njëjtën kohë në të gjithë territorin e vendit duke shkatërruar 23 grupe kriminale në Tiranë, Durrës, Korçë, Elbasan dhe Vlorë. Bëhet fjalë për firmosjen e 296 masa sigurie arrest në burg, kontrolle për 356 ambiente. U zbatuan 214 masa sigurie “arrest në burg” ndërsa vijon kërkimi për 82 të tjerë anëtarë të këtyre grupeve kriminale. Në kuadër të 8 muajve janë bllokuar sasi të mëdha droge që do të hidheshin në treg në doza të vogla.
Sipas drejtorit të Policisë së Shtetit, në të gjitha qarqet e vendit janë shkatërruar 23 rrjete kriminale dhe është neutralizuar një burim i rrezikshëm dëmi për shëndetin e më të rinjve. “Edhe në këtë megaoperacion ka pasur një shkallë të lartë rrezikshmërie, por profesionalizmi ishte maksimal. Policia e Shtetit është në prag finalizimi të megaoperacioneve të tjera kombëtare dhe ndërkombëtare”, shtoi Rrumbullaku.
-829 kg kanabsi një pjesë e përpunuar në formë çokollatë
-61 kg heroinë
-15.5 kg kokainë
-5.2 kg drogë ekstazi
-Të ndaluar 1541 shtetas për shitje lëndësh narkotike
Kurse ministri i Brendshëm Taulant Balla, tha se janë goditur shpërndarësit e drogës nëpër shkolla. Teksa e cilësoi si një kambanë alarmi faktin se është ulur mosha e përdorimit të drogës, Balla tha se po përdoren lloje drogrash sintetike të cilat janë një rrezik për jetën për të rinjtë.
“Operacioni shënoi rezultate impresionuese në luftën kundër drogës. Janë 214 masa sigurie shtuar këtu edhe 23 të tjerë që janë arrestuar gjatë kontrollove në flagrancë. Përdorimi i substancave narkotike ka marrë përmasa të panjohura më parë. Po ulet mosha e atyre që përdorin për herë të parë lëndë narkotike duke filluar nëpër shkolla veçanërisht në shkolla të mesme. Është shtuar edhe përdorimi i drogave sintetike që paraqesin rrezikshmëri të lartë. Janë zbuluar llojë droge që për ne ishin të panjohura më parë për ekzistencën e tyre në Shqipëri. Këto të dhëna janë një kambanë alarmi por institucionet duhet të bëjnë reagim të gjithë së bashku. Nuk do të lejojmë zona të lira për spacatorët e drogës”,-tha Balla.
Në fund, ministri i Brendshëm tha se do të propozojë dyfishim për dënimin e krimeve që ndodhin brenda perimetrit të sigurisë së shkollave.
