Policia e Durrësit bën të ditur se është vënë në pranga Klendi Xhura, 20 vjeç, i dënuar me mbi 3 vite burg për marrëdhënie seksuale me të mitur. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në vitin 2019.
“Klendi Xhura, 20 vjeç, banues në Durrës, të cilin Gjykata e Shkallës së Parë Durrës e ka dënuar me 3 vjet, 7 muaj e 28 ditë burgim për veprën penale “Marrëdhënie seksuale me të mitur”, pasi në vitin 2019 e ka konsumuar këtë vepër penale me një shtetase të mitur 12 vjeçe”, thotë policia e Durrësit.
Sakaq, në pranga kanë rënë dhe dy persona të tjerë, njëri për dhunë në familje dhe tjetri për tentativë korrupsioni ndaj efektivit të policisë.
“I. M., 37 vjeç, banues në Durrës, pasi Gjykata e Shkallës së Parë Durrës i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprat penale “Dhuna në familje” dhe “Veprime në kundërshtim me vendimet e gjykatës”.
Specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP Durrës proceduan penalisht për veprën penale “Propozimi për shpërblime që i bëhen punonjësit që kryen një detyrë shtetërore”, shtetasin H. K., 20 vjeç, pasi ka tentuar t’i japë punonjësit të Policisë, 2.000 lekë, me qëllim shmangien e masës administrative për parkim të gabuar”, vijon njoftimi.
