Policia e Shtetit bën të ditur se janë ekstraduar dy shqiptarë nga Gjermania dhe Italia të kërkuar nga drejtësia shqiptare.
Ilir Demolli, 54 vjeç është ekstraduar nga Mynihu pasi Gjykata shqiptare e ka dënuar me 7 vite burg për mashtrim.
Në vitin 2012, ai i kishte marrë me anë të mashtrimit F.SH., një shumë prej 230 000 eurosh, duke ju prezantuar si drejtor i një banke private.
Nga kjo shumë, ky shtetas i ka kthyer të dëmtuarës vetëm shumën 25 000 euro.
Gjithashtu, nga Specialistët e Interpol Tirana, u bë ekstradimi nga Roma/Itali, i M. H., 27 vjeç.
Shtetasi M. H. ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Z.Q.K Interpol Tirana, pasi Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë, ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Trafikimi i të miturve”.
Shtetasi M. H. ka trafikuar dhe shfrytëzuar për prostitucion, në Itali, në periudhën 2012-2013, një shtetase, e cila në atë kohë ishte minorene.
Si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tirana me Interpol Roma, u bë i mundur arrestimi i tij në Itali, duke u finalizuar me ekstradimin drejt vendit tonë.
