Kreu i Shtetit Ilir Meta për mëse dy orë iu përgjigj interesit të deputetëve të komisionit hetimor parlamentar të ngritur për verifikimin e zbatimit të Kushtetutës nga ana e Presidentit për zgjedhjet vendore. Në thelb në të gjithë përgjigjet e Metës për të theksuar qëndrimin e tij ishte vendimi i Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut në 2015, për zgjedhjet në Bullgari. Në atë vendim, që kreu i shtetit e theksoi shpesh, shprehet qartë ndryshimi mes fjalëve “zgjedhje” dhe “votim”.
Kreu i shtetit Ilir Meta është paraqitur në komisionin hetimor parlamentar të ngritur për të, ku tha se si President dëshiron të japë shembullin e bashkëpunimin ndërinstitucional, pavarësisht se Kuvendi e ka bërë gjykimin për të përmes një rezolute, para ngritjes së komisionit.
Ai tha se të thuash do zgjedh me një kandidat është një proces fiktiv, teksa ka sjellë në vëmendje një rast të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, ku një pakicë turke në Bullgari u ankua se nuk kishte ushtruar dot të drejtën e votës.
Ai tha më tej se ka pasur informacion sekret se më 8 qershor, disa persona kishin planifikuar edhe të digjnin Kuvendin, dhe kanë qenë pikërisht informacionet për destabilizim të vendit që e shtynë të merrte vendimin e anulimit të zgjedhjeve të 30 qershorit.
“Presidenti i Republikës për shkak të detyrës së tij ka patur informacione të mjaftueshme si në rrugë zyrtare dhe shtetërore nga institucionet më të larta të sigurisë kombëtare, qoftë përmes burimeve të tjera për përjekje për të organizuar akte destabilizimi në vend. Në mënyrë të veçantë në datën 7 qershor, një ditë para se Presidenti të bënte publik paralajërimin e tij për shfuqizimin e 30 qershorit ka marrë një informacion që është sekret dhe i klasifikuar”, tha kreu i shtetit më tej.
Lexo edhe- Meta: Kisha informacione për djegie të Kuvendit, do destabilizonin vendin
Kreu i Shtetit Ilir Meta tha në komisionin hetimor parlamentar të ngritur për të se kishte informacione për destabilizim të vendit, dhe nisur nga kjo pyetja e deputetëve të maxhoranës ishte pse nuk mblodhi Këshillin e Sigurisë Kombëtare.
Duke iu përgjigjur deputetes Vasilika Hysi, Meta tha se kjo është një çështje që mund të merrte zgjidhje në atë mbledhje.
Ai tha se një vit më parë e kishte mbledhur këshillin e sigurisë kombëtare pasi informacioneve për grabitje të bankave, por solli në vëmendje ngjarjen e 7 prillit në Rinas, megagrabitjen e parave të bankave të nivelit të dytë në barkune avionit, vetëm 30 minuta pasi ai kishte zbritur nga ajo linjë.
Lexo edhe- Meta: Ja pse nuk e mblodha Këshillin e Sigurisë Kombëtare
Deputeti i opozitës së re, Adriatik Alimadhi pyeti kreun e shtetit se cila mund të ishte zgjidhja sipas Presidentit për krizën politike nisur dhe nga situata aktuale dhe veprimet e Metës.
Kreu i shtetit tha se zgjidhja minimale do të ishte zgjedhjet më 13 tetor, duke qenë se të gjithë flasin në emër të popullit.
Lexo edhe- Kriza politike, ja kush është zgjidhja sipas Presidentit Meta
Kreu i shtetit Ilir Meta në vijim të përgjigjeve të deputetëve ka sqaruar dhe një situatë me deputetin socialist Bashkim Fino lidhur me një prej dekreteve të kthyera nga presidenti. Meta tha se nuk ka asnjë problem personal me Finon duke thënë se “gjithmonë keni qenë i preferuar nga ana ime”, e duke e ftuar në fund të mbledhjes për një kafe në Presidencë.
Pyetjes së Finos nëse është mbi palët, çfarë do të bëjë me 13 tetorin, kreu i shtetit iu përgjigj se ai ka qenë gjithmonë i tillë, duke sjellë dhe rastin e miratimit me 140 vota të reformës në drejtësi.
“Lidhur me këtë çështjen e palëve, natyrisht që detyra juaj ua kërkon të bëni pyetjen dhe vlerësimin tuaj. Por më duhet t’ju kujtoj dhe si koleg i vjetë rnë këtë Parlament se dhe kur kam qenë palë, pra ende kryetar Parlamenti dhe kryetar i një partie që ka qenë koalicion me ju, për çështjet madhore kam qëndruar mbi palët. Shembull më i qartë për këtë ka qenë reforma në drejtësi dhe votimi në unanimitet me 140 vota, më falni për mungesën e modestisë nuk do të ndodhte po mos të kisha qenë mbi palët. E bëra këtë gjë vetëm për një arsye se e dija që ishte e vetmja mënyrë që Shqipëria të merrte rekomandim pozitiv për çeljen e negociatave me BE gjë që e mori atëherë dhe kam frikë se me këtë diskutim që bëhen këtu për zgjedhjet dhe konceptime të gabuara, ky do të ngelet thjesht rekomandim për një kohë të gjatë. Unë do vazhdoj të jem mbi palët. Dhe për të gjithë ata që kanë një paragjykim se unë mund ti shërbej një pale kam vetëm një pyetje. Pse nuk mu kërkua mua, meqë paskam pasur lidhje me një palë të caktuar që të luaja një rol që opozitë të mos i dorëzonte mandatet? Pse duhej nxituar aq shumë për të bërë zëvendësim në bllok dhe që nuk parashikohet në asnjë akt ligjor, ku dhe për një deputet të vetëm lejohet 30 ditë kohë për tu shqyrtuar me përgjegjshmëri. Dua tu them dhe njëherë tjetër duke respektuar pyetjet tuaja politike dhe pozicionet tuaja politike unë në këtë detyrë kam qenë jam dhe do të jem në mbrojtje të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë.
Pyetjet e kryetarit të Komisionit hetimor për shkeljet kushtetuese të Presidentit, Ulsi Manja mbyllën dhe ciklin e pyetjeve ndaj kreut të shtetit në këtë komision që zgjati për mbi dy orë.
Manja e pyeti fillimisht kreun e shtetit se si e konsideron kompetencën e tij për të anuluar datën e zgjedhjeve 30 qershorin. Meta u përgjigj: “Për të garantuar thelbësisht të drejtën e zgjedhjesh siç e përcakton Gjykata e Strasburgut, unë mora këtë akt të datës 10 qershor me dëshirën dhe vullnetin për një datë tjetër që kjo e drejtë të ushtohej substancialisht sipas vendimit të Gjykatës së Strasburgut”.
Referuar dekretit për anulimin e datës së zgjedhjeve, pyetja e radhës e Ulsi Manjës ishte nëse Presidenti i ka mohuar maxhorancës që ishte në kulmin e ushtrimit të kësaj të drejtë kushtetuese. Meta tha: “Unë nuk i kam mohuar asnjërit të drejtën e zgjedhjeve, përkundrazi, kam shfuqizuar 30 qershorin me vullnetin për të dekretuar një datë të re gjithëpërfshirëse në mënyrë që të gjithë qytetarët shqiptarë të ushtronin siç e thatë në mënyrë cilësor dhe substanciale, siç e thotë Gjykata e Strasburgut të drejtën e votës dhe në mënyrë të lirë dhe të fshehtë. Unë mendoj që për këtë çështje GJEDNJ e cila është e vetmja që mund të bëjë interpretimin e Konventës evropiane të të drejtave të njeriut e ka bërë shumë të qartë se çfarë do të thotë “zgjedhje” dhe “votime”. Shqipëria ka një mundësi historike të bëjë një figurë të mirë si kryesuese e OSBE për vitin që vjen dhe aktualisht është në Trojkë. Një nga çështjet kryesore të OSBE është dhe çështja e standardeve të zgjedhjeve. Një vend që shfaq probleme serioze në këtë drejtim, sipas vlerësimit time ka të vështirë të ketë integritetin e duhur për të folur për standardin e zgjedhjeve në të gjithë hapësirën që përfshin OSBE”.
“Ju mendoni se tejkalimi i afateve të caktuara në Kushtetutë për të garantuar periodicitetin e zgjedhjeve vendore e për rrjedhojë edhe votës aktive e pasive është mbrojtja e duhur që i keni bërë parimit kushtetues?”, ishte pyetja e radhës e Ulsi Manjës. Meta theksoi se nuk ka afat në Kushtetutë për këtë çështje përveç përmendjes së periodicitetit. “Së dyti, në kodin zgjedhor keni konstatim të OSBE ODIHR që Kodi Zgjedhor në Shqipëri nuk parashikon zgjedhje pa kundërshtar, pra me një kandidat. Sigurisht që parimet kushtetuse prevalojnë. Nuk dëshiroja të caktoja një datë në mënyrë arbitrare, isha në kushtet e emergjencës për të bërë publik këtë vendim para manifestimit të opozitës dhe për të krijuar një situatë reflektuese për të dyja palët dhe për këtë kam nisur menjëherë bisedat, diskutimet me të gjitha forcat politike që shkelën vullnetin që të caktonim sa më shpejt një datë, mundësisht brenda korrikut. Përsa i përket 13 tetorit e kam bërë të qartë, është në relacionin e dekretit të 26 qershorit pse është zgjedhur kjo datë. Për të garantuar një pjesëmarrje gjithëpërfshirëse”, tha Meta.
Nëse kreu i shtetit ka vendosur një standard të ri të tijin në raport me zgjedhjet vendore apo zgjidhje e propozuar për të shtensionuar sitautën politike, përgjigja e kreut të shtetit ishte kjo: “Sjellja ime është tërësisht në standardet kushtetuese që janë sjellë të gjithë presidentët e Shqipërisë në situata të ngjashme. Së dyti, caktimi i datës 13 tetor ka ardhur pasi u konsuman përpjeket për një datë të caktuar. Nëse kryeminstri do shprehte vullnetin për t’i dhënë mundësi opozitës, në tërësi, përfshi dhe kandidatë të pavarur, kur është realizuar një proces zgjedhor gjithëpërfshirës, besoj se situata do të isht ndryshe. Por isha i detyruar të caktojë një datë për zgjedhjet vendore, pikërisht për të mos i mohuar të drejtën e zgjedhjeve qytetarëve në Republikën e Shqipërisë”.
Referuar situatës së rëndë kushtetuese dhe rendit publik pyetja e radhës e Ulsi Manjës ishte nëse Presidenti tentoi që me këtë argument të ulë palët politike para se të firmoste dekreti e 10 qershorit për anulimin si datë të 30 qershorit.
“Së pari, ky informacion i një institucioni mjaft të rëndësishëm të sigurisë kombëtare që ju sipas ligjit, i keni certifikatat e sigurisë mund të njiheni, ka qenë mes shum informacioneve të tjera, po nga ana ime është vlerësuar si kritik sepse përputhje me shumë informacione dhe paralajmërime për atë se çfarë mund të ndodhte më 8 qershor, në protestën e opozitës dhe ekipi im i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, i cili disponon dhe informacione të tjera nga institucione të tjera situata emergjente”, tha Meta.
Nëse është sjellë si kryetar shteti apo përfaqësues i popullit Meta dha këtë përgjigje: “Në të gjithë veprimtarinë time në respekt të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, parimit themelor që është pluralizmi politik dhe garancia për çdo qytetar të votojë në mënyrë të lirë e të ndershme dhe kjo është më e rëndësishme se çdo gjë tjetër. Nuk kam vepruar sipas një miksture po entiteti normash kushtetuese të harmonizuara me njëri-tjetrin për të garantuar të drejtën e zgjedhjeve për të zgjedhur sikurse deklaron dhe GJEDNJ, e cila është e vetmja që ka bërë dhe mund të bëjë interpretim se çdo të thotë “zgjdhje” dhe “votim”. Së dyti, jo vetëm jam bazuar në përvojat e mëparshme të vendit tonë, por dhe përvojën ndërkombëtare. Po marr përvojën e një vendi mik sikurse është Maqedonia që ka qenë në një situatë të tillë dhe e kaloi falë shtyrjes së zgjedhjeve”, tha Meta.