Kreu i grupi parlamentar socialist Taulant Balla ka paralajmëruar gjithashtu se të enjten në seancë do të votohet dekreti i kreut të shtetit për kthimin në Kuvend të ndryshimeve të Kodit Zgjedhor duke vijuar me argumentin e maxhorancës se nuk ka kohë për të humbur. Balla tha se pretendimet e Presidentit janë njësoj si PD dhe LSI.
“Nuk kemi kohë për të humbur. Siç edhe e dini implementimi i ligjit zgjedhor kërkon kohën e vet. Institucionet kërkojnë kohën e tyre dhe duke qenë se kemi një kod zgjedhor ku qytetarët do të votojnë jo vetëm për subjektet por edhe kandidatet, kjo është një kohë e shkurtër që institucioni i KQZ të përgatisë procesin zgjedhor.
Presidenti është munduar të argumentojë se ndryshimet në Kodin Zgjedhor se nuk na garantoka një proces zgjedhor me lista të hapura. Lista e kanidatëve të subjekteve do të jenë 100% të hapura dhe kjo është e qartë për këdo që ka kulturën juridike.
Kandidatët i nënshtrohen votimit parapëlqyes. U jepet e drejta zgjedhësve që të ndryshojnë renditjen e kandidatëve.
Pretendimet e Presidentit janë të njëjtat pretendime të bëra publike nga PD dhe LSI që janë diskutuar gjatë në mbledhjen e këshillit politik. Qëndrimi zyrtar i PD dhe i LSI kanë qenë se amendamentet kushtetuese ndalonin koalicionet dhe kjo binte ndesh me marrëveshjen e 5 qershorit. Por amendamentet nuk i ndalonin koalicionet”, tha Balla.
Balla i bëri thirrje PD që të heqë dore nga modelet e tre viteve më parë.
“Në 25 prill qytetarët do të kenë një kod zgjedhor sipas parimeve demokratike. I takon të gjitha institucioneve për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor dhe PD të heqë dorë nga modelet e dështuara të tre viteve më parë për të bllokuar apo për tu mos paraqitur në kohë për regjistrimin në procesin zgjedhor”, u shpreh Balla.