Policia e Tiranës ka arrestuar tre persona dhe ka shpallur dy të tjerë në kërkim, pasi në bashkëpunim me njëri tjetrin kanë kultivuar bimë narkotike në fshatin “Dorëz” të Tiranës.
NJOFTIMI
Finalizohet një tjetër operacion policor antikanabis.
Operacioni i koduar “Dorëz” i zhvilluar nga Komisariati i Policisë Nr. 6.
Vihen në pranga 3 shtetas dhe shpallen në kërkim 2 shtetas të tjerë, për veprën penale “Kultivim i bimëve narkotike” kryer në bashkëpunim.
Sekuestrohen 3 armë gjahu, një automjet, 3 aparate celular dhe sende të tjera të kundërligjshme.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, në vijim të punës së pandërprerë për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kultivimit të bimëve narkotike, gjatë kontrollit të territorit, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë policore, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Dorëz”, në kuadër të të cilit bënë arrestimin në flagrancë të shtetasve:
M. V., 28 vjeç, Z. T., 42 vjeç dhe Q. T., 58 vjeç. Si dhe u shpallën në kërkim shtetasit A. P., 35 vjeç dhe K. T., 24 vjeç.
Këta shtetas, në bashkëpunim me njeri-tjetrin, kanë kultivuar bimë narkotike në një sipërfaqe të pyllëzuar, në vendin e quajtur “Dorëz”, Pezë e Madhe.
Gjatë kontrolleve në banesat e 3 shtetasve të arrestuar, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan 3 armë gjahu dhe sende të tjera të kundërligjshme.
Materialet u referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
