Poeti i shpirtit Rumi do të thoshte se udhëtimi sjell përsëri fuqi dhe dashuri në jetën tonë. Pushimet janë ato ku “shkëpusim prizën” nga e përditshmja për t’u qetësuar dhe siç thotë Rumi për t’iu rikthyer jetës normale me më shumë fuqi.
Por në kushtet e reja ku pandemia ka prekur çdo qelizë të jetës, atë ekonomike dhe sidomos psikologjike ku pjesa më e madhe e njerëzve është prekur dhe nga ankthi e pasiguria, do të duhet të përshtatemi me një sjellje të re edhe me pushime. Të shkosh në plazh në këtë kohë pandemie nuk është njësoj si vitet e tjera, si për ne pushuesit, ashtu dhe për operatorët që ofrojnë shërbime turistike. Që nga detajet më të vogla tek ekonomia e të gjithëve ne.
Punonjësja sociale Irena Danjolli në një intervistë më herët për tirananews teksa shpjegonte dhe rikthimin në normalitet pas izolimit tre mujor të vendit do të shprehej se ende nuk po përballemi me një normalitet të sigurtë dhe kjo shton ankthin dhe shqetësimin tek njerëzit.
Ajo këshillon që njerëzit të mendojnë sa më shumë pozitivisht, të shijojnë natyrën dhe diellin dhe pse do të duhet kohe të përshtatemi me një kthim në normalitet.
Pikërisht mes këtij normaliteti jo të sigurtë zgjedhim të shijojmë natyrën dhe detin për t’u qetësuar disi por në “valixhe” marrim me vete dhe ankthin dhe frikën nga COVID, teksa nuk shkëputesh dot nga përditësimi i shifrave të rasteve ditore, vdekjeve dhe shtrimeve në spital.
BIZNESET DHE OPERATORET TURISTIKE
Por këtë ankth nuk e marrim me vete vetëm ne pushuesit. Teksa kërkojmë një vend për të kaluar pushimet operatorët turistikë nga ana e tyre na shprehin shqetësimin se asgjë nuk është si më parë. Kriza për ta nisi që në kohën e karantinës ku një sërë prenotimesh ishin anuluar e të tjera pezulluar. E krahas tyre dhe zbatimi i protokollit të masave kërkon angazhim maksimal si nga klienti dhe nga operatori.
Gjiri i Lalzit është një ndër zonat që është zgjedhur më së shumti këtë vit nga kryeqytetasit dhe kjo pasi familjet nuk duan të jenë shumë larg shtëpisë së tyre.
Nëse më parë në fundjavë ishte vështirë të gjeje një shezlon të lirë, këtë vit ke dhe mundësi të zgjedhësh nëse e do në fillim të bregut apo në rreshtat e tjerë dhe kjo për shkak të numrit të pakët të pushuesve. (Vijon poshte fotos)

Miri, djaloshi që verës mbledh paratë e shezloneve në një prej mjediseve të zonës të thotë se pothuajse gjysma e shezloneve janë bosh edhe pse çmimi sipas tij është ai i një viti më parë, 500 lekë për shezlon. Ai thotë se pushuesit e shumtë janë nga Kosova, dhe shumë pak shqiptarë.
Ka edhe plazhe publike, ku në fakt cilësia lë shumë për të dëshiruar, nuk ka as tualete e dushe, pasi askush nuk merret me pastrimin e tyre, dhe mund të përbëjnë një rrezik edhe më të madh infeksioni.
BARET DHE RESTORANTET
Në baret e plazhit tani s’ka më tavolina me 15 veta, por janë ato familjare dhe me distanca nga njëra tjetra. Menaxherët e lokaleve në plazhin e Gjirit të Lalëzit të thonë se puna nuk është as sa gjysma e një viti më parë dhe se njerëzit kanë frikë të konsumojnë diçka në këto lokale dhe pse përpiqen të respektojnë masat.
Por edhe porositë kanë ndryshuar, ku konsumi është më i pakët. Pushime jo vetëm me ankthin e infektimit, por dhe “të infekimit” të portofolit duke u kujdesur të shpenzojnë sa më pak.
Ndërsa ato që janë “clube” në bregdet tashmë që pas orës 20.00 nuk lejohet muzika kanë zgjedhur që “party” t’i bëjnë në orën 15.00 të drekës dhe ku ndonjëherë nuk mungojnë as “shkuma party” një mjedis i rrezikshëm për përhapjen e virusit. “Ç’të bëjmë, kur nuk lejohet më në darkë party ne të rinjtë s’do rrimë shezloneve gjithë ditën”, thotë Besniku, një 23-vjeçar nga Prishtina i cili ka zgjedhur Lalzin për pushime. E kur e pyet se ky rregull është vendosur për shkak të koronavirusit dhe a ka frikë përgjigja e tij është se është e pranueshme për shkak të situatës, por “pse në orën 15.00 a nuk ka virus”.

Vetë ekspertja e ISHP-së Eugena Tomini publikisht u ka bërë thirrje të rinjve të respektojën masat: Lirimi i masave, nuk do të thotë lirim nga përgjegjësia. Ju bëjmë thirrje veçanërisht të rinjve, që organizojnë festa në bregdet, të ndalen. Ne jemi ballkanas, jetojmë në familje të mëdha dhe rreziku i përçimit tek prindërit, gjyshërit, është i madh. Mosha e të prekurve është ulur në 25 vjeç. Le të shkojnë në plazh të rinjtë, por në grupime të vogla dhe duke mbajtur distancën. Sipas vlerësimit tonë, kjo situatë dhe këto shifra, do të vazhdojnë në 3-4 javët e ardhshme.
VROJTUESIT E PLAZHIT
Por frikë jo vetëm nga COVID. Siç është shprehur dhe profesor Tritan Kalo në një prej postimeve të tij, nuk duhet të harrojmë se kemi dhe probleme të tjera. Një prej tyre janë vrojtuesit e plazhit, për të cilët Ministria e Turizmit ka vendosur gjithashtu rregullat e saj. Gjatë korrikut ka pasur një sërë raste mbytjesh dhe shpëtim jetësh në det, por ky shërbim lë shumë për të dëshiruar. Së pari, kulla ka çdo 80 m vijë bregdetare, siç e përcakton urdhri i ministrit Blendi Klosi, por jo të gjitha kanë vrojtues plazhi.
PERGJEGJESIA VETJAKE
Përgjegjësia individuale vijon të mbetet një shqetësim në vend dhe në plazhe sigurisht që nuk bën përjashtim kur pushuesit shpesh harrojnë të respektojnë distancimin fizik. Dhe pse kudo sheh tabelat informuese dhe paralajmëruese për koronavirusin rrallë mes pushuesve sheh të përdorin maska apo dezinfektues. Mos harroni! “Pusho shqip”! Le te shijojme brenda rregullave bukurite e vendit tone/ tirananews.al




