Sikundër ndodh me shumë shërbime të tjera, edhe procedurat e transferimit të nxënësve nga një shkollë e mesme në një tjetër tashmë mund të bëhen lehtësisht online nëpërmjet portalit “e-albania”. Sipas kushteve të përcaktuara në legjislacion, si rregull transferimi i nxënësit duhet të bëhet pas përfundimit të vitit shkollor, por mund të lejohet edhe pas përfundimit të njërit prej tremujorëve. Ndërsa në rastet e ndërrimit të vendbanimit procesi i transferimit mund të bëhet gjatë gjithë vitit shkollor.
Autoritetet e arsimit sqarojnë se nxënësi do të lejohet të transferohet nga shkolla e arsimit të mesëm profesional në gjimnaz me kohë të pjesshme vetëm pas vitit të parë shkollor dhe pasi të kalojë në provimet e njëvlershmërisë. Ndërsa transferimi i nxënësit të shkollës së arsimit të mesëm të lartë në një shkollë të një profili tjetër mund të bëhet pasi përfundon viti shkollor dhe me miratim të Zyrës Vendore të Arsimit (ZVA-së). Po sipas kushteve të përcaktuara në ligjin për arsimin parauniversitar në vend, nuk lejohet transferimi i nxënësve nga arsimi i mesëm me kohë të pjesshme në arsimin e mesëm me kohë të plotë.
Procedurat që duhet të ndiqni!
Personi që ushtron përgjegjësin prindërore mund të bëjë një aplikim online në portal në adresën www.e-albania.al, ku plotëson të dhënat e nevojshme të formularit të përcaktuar për transferimin në shkollën ku fëmija do të vijojë ndjekjen e studimeve të shkollës së mesme.
Pasi të keni hyrë në portal duke bërë identifikimin përkatës duhet të zgjidhni shërbimin ” Transferimi i nxënësve nga gjimnazi ne gjimnaz” dhe të klikoni butonin “Përdor”. Menjëherë më pas do të nisni me plotësimin e formularit dhe në përfundim të hedhjes së të dhënave të kërkuara duhet të bëni dërgimin e tij. Sipas procedurave të përcaktuara aplikimi i kalon për shqyrtim drejtorit të institucionit arsimor ku nxënësi kërkon të transferohet. Drejtori i institucionit arsimor pritës shqyrton aplikimin dhe vendos aprovimin ose refuzimin e aplikimit për transferim te nxënësit. Aplikuesi njoftohet elektronikisht për pranimin ose refuzimin e aplikimit te tij. Ne rast aprovimi drejtori i shkollës dërguese nënshkruan dhe vulos dokumentacionin e transferimit dhe ia dorëzon nxënësit që do të transferohet, ia dërgon zyrtarisht drejtorit të shkollës pritëse dhe bën çregjistrimin e nxënësit për të lejuar regjistrimin në shkollën e re pritëse. Gjatë aplikimit online për transferimet në fillim të vitit shkollor në portal duhet të ngarkoni vetëm dëftesën, ndërsa në rastet kur transferimet bëhen në mes të vitit dokumenti i transferimit (Vlerësimet/notat, mungesat me dhe pa arsyje dhe nderimet ose/dhe masat disiplinore të marra nga nxënësi deri në datën e transferimit) sigurohen nga punonjësit e administratës. Kryerja e procedurave online në çdo rast është pa pagesë.
Arsimi i mesëm në Republikën e Shqipërisë përbëhet nga gjimnazet (me kohë të plotë dhe të shkurtuar), si dhe nga shkollat e mesme profesionale. Ndjekja e arsimit të mesëm nuk është i detyrueshëm. Gjimnazet publike me kohë të plotë japin një kulturë të përgjithshme që është zgjerim i njohurive e thellim i kulturës dhe njohurive të fituara në shkollat e arsimit bazë. Kohëzgjatja e gjimnazit është 3 vjet dhe përfundon me provimet e Maturës Shtetërore. Në planin mësimor janë përfshirë nëntë fusha si: Artet, Edukimi fizik dhe sportet,Gjuha e huaj (ose gjuhët e huaj), Gjuha shqipe dhe letërsia, Karriera dhe aftësimi për jetën, Matematika, Teknologjia & TIK, Shkencat natyrore dhe Shkencat shoqërore.
Kurrikula e gjimnazit është e përbërë nga kurrikula bërthamë dhe kurrikula me zgjedhje. Gjimnazet me kohë të shkurtuar, shërbejnë edhe për arsimimin e të rriturve.
Kohëzgjatja e studimeve në gjimnazet me kohë të shkurtuar, është 4 vjet dhe ato përfundojnë me dhënien e provimeve të Maturës Shtetërore (MSH). Plani mësimor dhe programet kurrikulare, miratohen nga Ministri i Arsimit, Sportit dhe Rinisë.
