Një 28-vjeçar është vënë në pranga nga policia pasi prej një muaji ishte shpallur në kërkim për kultivim bimësh narkotike dhe armë pa leje.
Burime zyrtare të policisë bëjnë të ditur se në sajë të operacionit të koduar “German”, është vënë në pranga A. Gj., 28 vjeç nga Burreli. Policia e kërkonte që prej korrikut të këtij viti pasi në afërsi të shtëpisë së tij, në një zonë të pyllëzuar 28-vjeçari kishte tentuar të kultivonte kanabis.
NJOFTIMI I POLICISE
Finalizohet operacioni policor “German”, i ndjekur me metoda speciale.
Operacioni për kapjen e personave në kërkim.
Kapet 28-vjeçari i shpallur në kërkim, me masë sigurie “Arrest në burg”, për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike” dhe ” Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve dhe municionit luftarak”.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Mat, në vijim të punës për kapjen e personave të shpallur në kërkim, kanë organizuar punën duke finalizuar operacionin policor “German”, si rezultat i të cilit u kap dhe arrestua shtetasi i shpallur në kërkim A.Gj., 28 vjeç, banues në Burrel.
Gjatë kontrollit të territorit të ushtruar nga Policia për parandalimin dhe goditjen e kultivimit të bimëve narkotike, në muajin korrik 2019, ky shetas në afërsi të banesës së tij, në një zonë të pyllëzuar në fshatin German, ka tentuar të kultivojë bimë narkotike të dyshuara Cannabis Sativa, në kubikë.
Nga kontrolli i ushtruar në banesë i janë gjetur dhe sekuestruar municion luftarak dhe vegla të ndryshme për pastrimin e armëve të zjarrit.
Materialet shtesë i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Mat për veprime të mëtejshme.