Deputetja e Partisë Socialiste, Blerina Gjylameti u shpreh sot në një intervistë televizive se, pandemia, tërmeti dhe rimëkëmbja ekonomike janë disa nga sfidat e qeverisë në mandatin e tretë.
E pyetur mbi sfidat që duhet të përballet qeveria, Gjylameti tha se, “ka disa sfida me të cilat duhet të përballet qeveria, madje sfida që janë shtuar edhe ditët e fundit. Së pari ajo që ka të bëjë me pandeminë që nuk është një sfidë e ezauruar tashmë. Sepse jo vetëm Shqipëria, por e gjithë bota është duke u përballur. Nuk është se ia kemi dalë në çdo gjë pavarësisht përpjekjeve dhe faktit që në Shqipëri pothuajse kemi arritur në numra të konsiderueshëm të personave që janë vaksinuar që na lejojnë të kemi jetesë më normale. Por mbi të gjitha përkthyer edhe në aspekte ekonomike, numri i lartë i të vaksinuarve më pas na lejojnë që të kemi edhe aktivitet normal dhe më pas edhe ekonomia të ketë një goditje më të pakët. Sepse kufizimet duam apo s’duam kanë dhënë efektet negative”.
“Sfida tjetër ka qenë e tërmetit dhe besoj përsëri që ia kemi dalë që një numër konsiderueshëm i familjeve që janë prekur nga kjo tragjedi të rikthehen në banesat e tyre. E përkthyer edhe kjo në aspektin ekonomik, të tëra këto janë të ardhura në buxhetin e shtetit, sepse ekonomia në bazë dhe të asaj që u deklarua në ditët e fundit nga zv/kryeministri dhe ministrja e Financave, në tre mujorin e parë të 2021 ka performuar me një shifër të konsiderueshme. Shikojmë që të ardhurat dhe pjesa e konsumit është në rritje”, theksoi Gjylameti.
“Besoj që ka sfida shumë të mëdha. Po i shtohen ditë pas dite. Dhe 3 nga prioritetet kryesore të këtij mandati qeverisës kanë të bëjnë me vijimësinë për t’u përballur me pandeminë. Dhe të gjitha investimet që duhen për të arritur që të kemi një shoqëri të vaksinuar dhe më pas dhe njerëz të shëndetshëm që të përkthehet me më pak goditje në ekonomi”, tha ajo.
“E dyta me rimëkëmbjen ekonomike. sepse ne jemi ekonomi e vogël dhe ekonomi shumë më të mëdha se e jona janë goditur shumë më tepër, jo më një ekonomi si ekonomia shqiptare, që pavarësisht të gjithë përpjekjeve që janë bërë në 4-vjeçarin e parë për ta rikthyer në shinat e ligjshmërisë dhe në 4-vjeçarin e dytë për të marrë apo për të pritur rezultatin e reformave strukturore që ishin marrë në ekonomi gjatë 4-vjeçarit të parë. Besoj që është prapë një sfidë të tjetër që ka të bëjë me rimëkëmbjen ekonomike”, u shpreh Gjylameti.
“Pjesa e tretë ka të bëjë me të gjitha ato që kanë të bëjnë me rritjen e mirëqenies së qytetarëve. Ka të bëjë me rritjen ekonomike të qëndrueshme. Do të duhet të kemi një trend ekonomik që vete tek 4.5 %, i cili është fokusi kryesor i këtij mandati qeverisës. Kësaj do t’ia dalim me investimet në ata sektorë që janë kyç në ekonominë shqiptare. Nëpërmjet të gjitha paketave fiskale që janë në mbështetje të një sektori kyç si bujqësia. E kemi parë që në vitet e fundit ka pasur zërin kryesor në të ardhurat, apo në PBB, duke parë që eksportet janë rritur falë gjithë atyre ndërhyrjeve që janë bërë, pra me tvsh-në zero në inputet bujqësore, me TVSH në makineri. Me mbështetjen direkte që kemi filluar që nga 2 vitet e fundit. Por vitin e fundit më shumë akoma nëpërmjet akcizës zero për naftën. Dhe duke u fokusuar më shumë në ato produkte që mund të rrisin ekonominë e shkallës dhe të kemi një avantazh konkurrues në tregje të tjera për të vijuar”, nënvizoi Gjylameti.
“Turizmi është një tjetër sektor që ka performuar mirë dhe ka kontribuar në ekonominë e vendit. Edhe aty janë bërë disa ndërhyrje dhe do të vijojë përsëri nëpërmjet këtij programi qeverisës për të arritur që te kemi pikërisht atë çfarë pritet që të jetë një nga sektorët kyç që kontribuon në ekonominë shqiptare”, tha ajo.
“Kemi më pas dhe do duhet të jemi me sfidat e kohës në pjesën e dixhitalizimit ku edhe në këtë program qeverisës një zë kryesor zë pjesa e dixhitalizimit”, theksoi deputetja e PS.
Sa i përket infrastrukturës, Gjylameti u shpreh se, “gjatë këtij mandati synojmë ndërtimin e aeroportit të Vlorës, një aeroporti tjetër ndërkombëtar, të Sarandës dhe 2 portet kryesore, si dhe duke vijuar me infrastrukturën rrugore”.
“Të gjitha këto do të japin mundësinë të rrisim atë që është mbështetja e shtresave në nevojë. Mbështetja e të gjithë atyre që kanë nevojë shumë më tepër dhe për të krijuar atë që duhet një shpërndarje më të mirë të të ardhura. Dhe bazuar mbi këtë janë disa kushte, ndërhyrje që janë bërë për të mbështetur të gjitha shtresat më vulnerabil, por mbi të gjitha dhe për të prekur sektorin publik dhe jo vetëm me pjesën e rritjes së pagave, me pagën minimale dhe përjashtimin nga tatimi mbi të ardhurat nga 30 mijë në 40 mijë”, theksoi Gjylameti.
E pyetur mbi deklaratën e kryeministrit Rama për krizën globale të energjisë, Gjylameti u shpreh se, “ajo çfarë kryeministri tha në deklaratë ishte që 6-mujori i parë i 2022 do të jetë periudha që do të ketë pikun kriza dhe do të ketë efektet negative në ekonomi”.
“Programi qeverisës flet në ato çfarë janë shtylla kryesore në ato që bazohet programi dhe çfarë do jenë reformat që do ndërmerren me synimin kryesor të rimëkëmbjes ekonomike dhe të mirëqenies së qytetarëve. Në program sa i përket energjisë dhe të gjitha elementëve që ndikojnë në ekonominë shqiptare që kanë të bëjnë me energjinë, janë disa projekte të rëndësishme siç mund të përmend pjesën e fotovoltaikëve në Karavasta dhe një sërë elementësh të tjerë siç është ndërtimi i Skavicës,etj, të cilat krijojnë mundësinë që furnizimi me energji elektrike dhe ndikimi sa më i pakët që ka në ekonominë shqiptare i çmimit të energjisë së blerë të jetë me ndikim të ulët”, tha Gjylameti.
“Ndërkohë në anën tjetër po të shohim ka disa problematika sa i përket fushës së energjisë, ku ajo që synohet dhe që është dhe pjesë e programit qeverisës ka qenë edhe vënia në funksionalitet të plotë të bursës së energjisë”, u shpreh Gjylameti.
E pyetur se cilët janë skenarët për të dalë nga kjo situatë, Gjylameti u shpreh se, “informacionin se si mund të jenë skenarët e mundshëm kanë vetëm teknikët dhe ekspertët përkatës. Besoj janë duke e vlerësuar qoftë ecurinë e tregjeve të çmimit të energjisë dhe po ashtu jo vetëm të energjisë. U përmend ndryshimi i një sërë produktesh. Nuk janë çmime të ndryshuara sot, por janë reflektuar sot pas një situatë të një pandemie 2-vjeçare”.
“Të diskutojmë sot për efekt që do të ketë rritja e çmimit të energjisë është tërësisht e parakohshme. Unë mendoj që janë ulur ekspertët, po mendojnë mbi skenarët e mundshme, dhe më pas për të parë se, cilat do jenë ndërhyrjet për mbështetje të gjithë atyre që përmendi edhe kryeministri që kanë të bëjnë me familjet në nevojë, me pjesën e konsumatorit familjar, biznesin e vogël e me radhë”, tha ajo.
Gjylameti shtoi se, “ka pasur subvencione të energjisë, për pensionistët, familjet në nevojë dhe tek bizneset që prodhojnë, si furrat e bukës”.
“Nga momenti që kemi ardhur në pushtet në 2013 dhe në vijimësi janë ndërmarrë një sërë reformash strukturore sa i përket sektorit të energjisë. Ne e dimë fare mirë sesa ishin humbjet në rrjet në momentin që kemi ardhur në 2013 dhe sot diskutojmë që janë rreth 20%, pra janë përgjysmuar. Ne diskutojmë një çmim që ishte i ndryshëm për konsumatorin familjar dhe biznesin e vogël, apo nuk kishte subvencione për ato që ishin shtresa në nevojë”, theksoi Gjylameti.
“Përmendëm në programin e qeverisë Skavicën, Karavastasë, parkun tjetër fotovoltaik të Spitallës, TEC-in. Të gjitha këto janë projekte të cilat parashikojnë atë që dhe mund të kesh nesër pasnesër sepse krijimi i pavarësisë për nevoja energjetike ka nisur të mundësohet nga 2013- e këtej. Pra nuk është se ka pasur pak investime për uljen e humbjeve në rrjet. Një nga reformat kryesore strukturore ka qenë pikërisht në sektorin energjetik”, përfundoi Gjylameti.
