10 Shtatori do të shënojë nisjen e legjislaturës së 10-të të Kuvendit të Shqipërisë.
140 deputetët e dalë nga zgjedhjet e 25 Prillit do të ulen në sallën e Kuvendit për të shënuar nisjen e kësaj legjislature.
Rregullorja e Kuvendit përcakton se drejtues i seancës së parë plenare është deputeti më i vjetër në moshë, deri në zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit. Këtë përgjegjësi do e ketë deputetja e PS-së Luljeta Bozo.
Kjo do të jetë seanca e parë, pas të cilës do të thërritet një e dytë, në të cilën do të votohet kryetari i ri i Kuvendit.
Lindita Nikolla është e përzgjedhura e socialistëve për të drejtuar Parlamentin në këtë legjistalturë. Procedura saktëson se emri i saj do të duhet të propozohet nga të paktën 15 deputetë, ndërkohë që zgjidhja zhvillohet pa debat dhe me votim të fshehtë.
Kjo legjislaturë rikthen opozitën, PD-në dhe LSI-në në Kuvend dy vite pas djegies së mandateve, shkurtin e vitit 2019. Betejat parlamentare parashikohen të forta.
Reformat do të jenë kryefjalë e Parlamentit të ri.
Demokratët kanë përcaktuar dy prioritete: reformën zgjedhore dhe rishikimin e hartës territoriale të vendit. Nëse e para, reforma zgjedhore është detyrim i Kuvendit të ri, nisur edhe nga dakordësia në marrëveshjen e 5 Qershorit 2020 për ta adresuar atë, reforma territoriale, që do të ndryshonte numrin e bashkive në vend, do të ketë nevojë një marrëveshje të madhe politike për tu nisur.
Nga kjo legjislaturë do të zgjidhet edhe Presidenti i ardhshëm i Republikës. Ilir Metës mandati presidencial i përfundon zyrtarisht në 22 korrik 2022, nëse Gjykata Kushtetuese nuk vendosë ta shkarkojë atë më herët. Kryeministri Rama e ka bërë të qartë se ka gjithë vullnetin për t’u ulur në tavolinë me PD-në për zgjedhjet e një Presidenti konsennsual.
