Lufta ndaj krimit të organizuar mbetet prioritet kryesor thotë ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj. Ai paralajmëron se vjeshtën e këtij viti priten vendimet e para nga Gjykata për konfiskimet e pasurive me burim kriminal, nga operacioni Forca e Ligjit.
“Evidencat e deritanishme tregojnë se ecuria e punës është jashtëzakonisht inkurajuese. Operacioni Forca e Ligjit ka regjistruar sukses të konsiderueshëm, dhe presim që së shpejti të finalizohen dhe vendimet e para përfundimtare të drejtësisë për konfiskimet e para, për t’u pasuar në të ardhmen me vendime të tjera”, u shpreh ministri.
Ministri i Brendshëm zhvilloi një takim me me oficerët e Njësisë Kundër Krimit Ekonomik, e njohur si Njësia “E”, në Policinë e Shtetit, ndërsa theksoi se përveç Operacionit Forca e Ligjit (OFL), punë e madhe po bëhet edhe në drejtim të luftës për goditjen e grupeve të krimit të organizuar.
Ministri shoqërohej nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu dhe Drejtori i Departamentit të Policisë Kriminale, Tonin Vocaj.
