“Asnjëherë nuk kam bërë asnjëherë asnjë parashikim specifik për tërmete”. Ky është reagimi i sizmiologut të vjetër grek, Akis Tselentis, drejtor i Institutit Gjeodinamik Observatori Kombëtar të Athinë.
Emri i tij u përdor nga Presidenti Ilir Meta, ku teksa e citonte për paralajmërimin e një tërmeti apokaliptik që do godiste Ballkanin, i dërgonte një letër kryeministrit Rama, zv.kryeministrit Braçe dhe ministres së Mbrojtjes Olta Xhaçka, që ta informojnë kreun e shtetit a kanë marrë masa dhe a mund ta përballojë Shqipëria një tërmet të përmasave të tilla.
“Sizmiologu Tselentis ka paralajmëruar për një tërmet apokaliptik që pritet të godasë Ballkanin, që mund të jetë 30 herë më i fuqishëm se ai që goditi para disa ditësh rajonin e Athinës”, thotë Meta në letrën e tij.
Por sizmiologu grek në përgjigje të një email-i që Shqiptarja.com i dërgoi duke e pyetur a e ka bërë një parashikim të tillë dhe a ka biseduar me kreun e shtetit shqiptar, ai përgjigjet:
“Asnjëherë nuk kam bërë asnjë parashikim specifik për tërmete. Unë nuk kam bërë asnjë parashikim. Asnjëherë nuk kam qenë në kontakt me presidentin tuaj. E gjitha kjo është fake (e rremë) dhe qesharake”.