Kryeministri Edi Rama zhvilloi një takim me sipërmarrësit e mëdhenj të Shqipërisë, të cilëve u ka kërkuar të bëhen pjesë e një mekanizimi për t’u ardhur në ndihmë njerëzve të varfër të Shqipërisë.
“Duke parë edhe nevojën që ka shoqëria për të kuptuar më mirë dhe për të prekur më nga afër vlerën që ju mishëroni për këtë komunitet, sikundër për të lehtësuar gjithë këtë barrë të madhe dhe të padrejtë mbi figurën e sipërmarrësit të suksesshëm, mbi emrat e shumë kujt prej jush këtu që përgojohen si të ishin persona në kërkim, të hapim së bashku një faqe tjetër duke vënë në dispozicion të atyre që janë më të varfër, një mekanizëm të dakordësuar bashkërisht, tha Rama.
“Shqipëria solidare” do të quhet ky fond, për të cilin Rama tha se nuk duhet të shikohet si taksë shtesë ndaj biznesmenëve.
“Idenë e krijimit të një fondi të “Shqipërisë solidare” për të adresuar bashkë me ju nevoja dhe halle në drejtim të atyre që janë më në nevojë dhe më në hall. Ideja bazë e këtij fondi nuk është një taksë plus që shkon në buxhetin e shtetit, por një mekanizëm i strukturuar bashkëpunimi midis qeverisë dhe biznesit të madh, apo më saktë midis qeverisë dhe sipërmarrësve të mëdhenj”, tha Rama.
Rama ka folur edhe për mënyrën se si do të funksionojë ky fond: “Secilit prej jush t’i bjerë një barrë e barabartë, e cila mund të jetë 2% mbi dividentin, jo të kompanisë, por dividentit tuaj. Mekanizimi nuk do të kontrollohet nga qeveria, por nga ju. Qeveria do të sjellë pranë jush nevojat dhe bashkë me ju, si pjesëtare e një bordi që duhet diskutuar se si do të zgjidhet nga ju dhe si do të bëjë të gjithë procesin, të përcaktojë se cilat janë ato halle dhe ato nevoja të menjëhershme që duhen kthyer në projekt dhe duhen realizuar në terrenin e jetës së përditshme.”
