Kryeministri Edi Rama ka folur në Kuvend për procesin integrues të vendit ndërkohë që për pak ditë do të merret dhe vendimi për çeljen e negociatave të Shqipërisë me BE. Ai ka komentuar debatin në parlamentin holandez, që sipas tij i drejtohej elektoratit atje, një çështje e brendshme e atij vendi.
Rama tha se opozita bojkoti i opozitës kishte si qëllim minimin e çeljes së negociatave.
“Ata që janë përpjekur të thonë se ndarja në propagandë apo në qëndrime mes Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë do të quhet një ndarje në ndikimin e përgjithshëm jo vetëm kanë gabuar, por kanë dështuar në përgatitjen e një terreni politik këtu në funksion të agjendës së tyre politike. Ka një ndryshim të madh që ka përcaktuar dhe një pjesë të mirë dallimin në qëndrime dhe ky ndryshim është qasja e opozitës në vendin fqinj dhe qasja e opozitës këtu. Flas për opozitën që nuk është e pranishme në Parlament dhe që braktisi Parlamentin, dogji mandatet, bojkotoi zgjedhjet vetëm me një qëllim për të minuar pikërisht çeljen e negociatave”, tha Rama.
Nuk jemi ne shkaku vijoi Rama që sot BE është e ndarë, por vendet skeptike mbajnë një qëndrim për politikë të brendshme. “I patë në Parlamentin Holandez dje ata që flisnin kundër Maqedonisë së Veriut që sipas të tjerëve dhe komenteve këtu në radhë të parë nuk ka asnjë problem. I patë se si u futën në debat duke bërë copë vendin tjetër? Po ata ca ishin? Ata dinë më shumë për situatën? Absolutisht jo. Thjesht dhe vetëm çështje e qasjes ndaj BE në tërësi, ndaj procesit të zgjerimit dhe patjetër ndaj elektoratit të tyre”, tha Rama më tej.
Ai akuzoi opozitën se furnizon çdo ditë kanale komunikimi me parti simotra apo individë të caktuar, të cilët kanë një qasje tjetër ndaj Shqipërisë për arsyet e tyre.